Mançester Junajtid, 150 milion € për Garet Bejl

0

Fair Play Financiar? Van Gaal as që do t’ia dijë. Trajneri holandez përgatit goditjen më të madhe në historinë e merkatos së shitblerjes së futbollistëve me një ofertë të çmendur për të afruar te Manchester United, Gareth Bale. Ullesiani po kthehet në një fiksim të vazhdueshëm për teknikun e Djajve të Kuq, i cili e dëshiron me çdo kusht në ekipin e tij. 150 milionë Euro planifikon t’i ofrojë Realit të Madridit Van Gaal për djaloshin nga Cardiffi, një ofertë që vështirë se mund të kthehet mbrapsht edhe nga një njeri i fuqishëm si Florentino Perez. Afrimet e vitit të shkuar, Di Maria, Ander Herrera, Mata, Fellaini e Falcao duket se nuk e kanë ngopur oreksin e trajnerit holandez, i cili ka premtuar se fushata e blerjeve të shtrenja do të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm.

Manchester United është skuadra me më shumë tituj në Angli, plot 20 të tillë dhe Van Gaal kërkon që të ndërtojë një skuadër të frikshme për t’u rikthyer sërish në majën e ishullit pas një periudhe të vështirë, të ndikuar nga largimi i Alex Ferguson. Në transferimin e Bale mund të përfshihet portieri David De Gea, për të cilin Ancelotti ka shfaqur interes, por ky mbetet një operacion i vështirë sepse vetë uellsiani është shprehur se dëshiron ta vazhdojë karrierën në Madrid. “Jam shumë i lumtur te Reali dhe dua të respektoj kontratën që skadon në vitin 2019”, u shpreh sulmuesi që u transferua në “Bernabeu” për 101 milionë Euro. Por a do ta marrë parasysh Perez kërkesën e tij për të luajtur te kampionët e Europës edhe gjatë sezoneve të ardhshme? Kjo do të mësohet në mbyllje të merkatos së verës ku Van Gaal do të kërkojë ta bindë me çdo kusht kreun e klubit merengues. / Super Sport

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.