Manaj, “në duart” e Gatuzos!

0

Sot pritet firma e kontratës deri në fund të sezonit. Odo këshillon shokun “Rino” për ta ndrequr karakterin e talentit lushnjar. Spanja, shumë larg familjes. Ujkani dhe Çani e mirëpresin

Anton Cicani

Rei Manaj do të huazohet te Piza deri në fund të sezonit. Eshtë ky vendimi që ka marrë vetë futbollisti shqiptar, i shtyrë edhe nga mesazhet e Ujkanit dhe Çanit, por sidomos nga Interi, që beson se me një përvojë në Serinë B, ndoshta për lushnjarin do të jetë më mirë që të ambientohet dhe të nisë të kuptojë që talenti që disponon duhet shfrytëzuar në sajë të punës dhe sakrificave. Deri në fund, Peruxhia ka provuar që ta bindë, por ka qenë e pamundur. Manaj kishte marrë këtë vendim dhe pasi i kishte thënë “jo” Spanjës, për arsye edhe familjare dhe ambientimi, ka preferuar një hap mbrapa, pra duke zbritur në të vetmen kategori që s’ka luajtur në Itali (Lega Pro me Kremoneze dhe Serie A me Interin dhe Peskarën). Pikërisht “kura” Gatuzo mund të jetë ajo e duhura. Një trajner që nuk di të thotë asnjëherë fjalën e mirë por përdor “bastunin” dhe, sidomos, sjelljet disi të vështira, di t’i administrojë. Kush më mirë se një ish-futbollist me grintë mund të kthejë në binarët e duhur një futbollist që ka vetëm një handikap: karakterin e vështirë. E kuptoi Odo, por edhe De Biazi, kur pati disa fërkime përpara se ta thërriste në kombëtare.

Pikërisht ai karakter që e ka detyruar, deri tani, të mos shkëlqejë dhe gjejë hapësira. Sepse, sapo ai rritet dhe bën shumë mirë, del në pah sjellja. Ashtu si me Peskarë dhe trajnerin Masimo Odo, një tjetër ish-milanist që, sigurisht, do të ketë biseduar me Gatuzon dhe i ka referuar se Manaj duhet të ndreqë sjelljen dhe respektin për shokët e skuadrës. Për të tjerat është ok. Sepse, një futbollist për të cilin Interi pagoi 1 mln euro për ta siguruar nga Kremoneze nuk mund të jetë i dobët, por një talent që duhet të shpërthejë dhe të ketë vazhdimësi.

Këtë sezon, Manaj e nisi mjaft mirë, duke shënuar dy gola me Peskarën, por më pas humbi dhe kështu që erdhën vështirësitë. Edhe tutelimi nga Memushaj nuk shërbeu, ndërsa Interi ende beson dhe do të provojë të shohë rritjen e tij në Serinë B.

 

Karriera e Manajt

Sezoni                   Ekipi                       Nd.         G

2014-15                Kremoneze        23           2

2015-16                Inter                      4              0

2016-                     Peskara                                12           2

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here