Manaj, kur ëndrra bëhet realitet!

0

 

Në kohën kur Mario Kempes, legjenda argjentinase, largohet nga Lushnja, lind sulmuesi i Interit dhe Kombëtares, me një karakter disi të veçantë, por me bindje në potencialin e tij. Historia e jashtëzakonshme

 

Sot mund të ishte ende tek Sampdoria (por edhe tek Milani nëse do të kishte kaluar një provë…_), por vetëm një vonesë e ndodhur për shkak të problemeve burokratike të klubit dorian bënë që Rej Manaj të vazhdonte tek Kremoneze dhe, më pas, të firmoste për Interin këtë verë, teksa një vit përpara, mund të ishte blerë për vetëm 100 mijë euro. Histori e jashtëzakonshme ajo e djaloshit nga Lushnja, që po kalon një moment të rëndësishëm për karrierën, si tek skuadra zikaltër, ashtu edhe tek kombëtarja e Shqipërisë, debutim dhe gol në prekjen e parë pas vetëm 12 sekondash. E kur fati të vendos në këtë rrugë, duhet që të mos kthesh më kokën mbrapa, majtas apo djathtas, por të ecësh drejt.

“Mondofutbol” i ka dedikuar një hapësirë të gjëtë përrallës së lushnjarit, që nisi shumë vite më parë, duke bërë analogji edhe me atë që skuadra e qytetit të tij bëri: solli Mario Kempes, legjendën argjentinase, në Shqipëri. Ja se si nis përshkrimi fantastik: “Është dhjetor 1996, kur në Lushnjë, vetëm 130 km në jug të Tiranës, zbarkoi një ikonë e madhe e futbollit argjentinas, Mario Kempes. Rrapush Xhaferri, presidenti i Lushnjës, njofton “El Matador Bell Ville” si trajnerin e ri, me një kontratë dyvjeçare, me 200 mijë dollarë amerikanë në sezon. Aventura e trajnerit të parë të huaj në kampionatin shqiptar, megjithatë, zgjati vetëm tre muaj. Premtimet ekonomike nuk respektohen dhe, mbi të gjitha, vendi është në prag të luftës civile. Populli fajësojn i si Xhaferri dhe një sistem ekonomiko-financiar, që e shkatërroi plotësisht. Popullit i ishte premtuar fitim në masën 300% për kursimet e tyre, që i depozituan nëpër firmat piramidale. Fillimisht metoda dukej joshëse, por pastaj u zbrazën arkat e investitorëve, duke lënë qytetarët e Lushnjës, si edhe ato të shumicës së Shqipërisë, pa asnjë qindarkë. Ajo që populli i Lushnjës nuk e di, megjithatë, është se në shkurt të vitit 1997 ishte gati për të filluar një histori të re, që do të sjellë këtë qytet, disa vjet më vonë, përsëri në qendër të vëmendjes.

Pikërisht, në atë kohë kur Mario Kempesi përshëndeti vendin e shqiponjave, më 24 shkurt 1997, në fakt, ka lindur në Lushnjë Rej Manaj. Koha e vështirë që mbizotëronte vendin e detyruan familjen “Manaj” të emigronte në Itali. Këtu, Rej i vogël zbulon menjëherë pasionin për futbollin. Nëpër ditëlindje merrte dhurata të ndryshme, kryesisht lodra, por ai e shoqëronte çdo përvjetor me shprehjen, që e përsëriste vazhdimisht: “Unë do të bëhem një futbollist.”

Prova e dështuar – Milani dhe Atalanta janë mundësia e parë e madhe për Rek, por të dyja klubet janë të “pista” të pasuksesshme. Në të vërtetë, të dyja aventurat nuk fillojnë fare, sepse djaloshi shqiptar është hedhur poshtë në “audicionet” seleksionuese. Shansi i parë i vërtetë i vjen kur ishte 11 vjeç, në vitin 2008, kur Manaj bëhet pjesë e të rinjve të Piaçencas. Me rritjen e madhe që tregoi në “Emilia”, shumë trofe dhe çmime personale, tani ishte bërë i çmuar për mamin, babin dhe të afërmit, që kishin shtëpinë e tyre në Shqipëri. Në verën e vitit 2012, megjithatë, klubi i presidentit Garili dështon dhe kështu Manaj arrin te Kremonese, ku futbolli do të jetë zbulimi i madh i tij.

Kremoneze – Në Kremona, për Rej Manajn, Xhixhi Simoni u bë shpejt si “babai” i tij në futboll. Ish-trajneri i Interit, Napolit dhe Torinos u bë zbuluesi dhe mbështetësi kryesor i talentit të ri shqiptar. “Rej ka një karakter të tillë, që është gjithmonë në gjendje për të kuptuar se çfarë është më e mirë për të dhe për ata që e mbështesin,” – thotë Simoni. Ky i fundit ka qenë dhe mbetet pikë referimi për sulmuesin nga Lushnja. Edhe tani që Interi është në një marrëdhënie kontraktuale dypalëshe, mes Manajt dhe Xhixhi Simonit nuk ka ndryshuar asgjë. “Është një djalë i gatshëm moralisht për të shkuar drejt suksesit. Nuk ka frikë dhe ka besim të madh në aftësitë e tij, por për këtë duhet të bëjmë të gjithë detyrën, për ta mbajtur me këmbët në tokë. Ai ka një personalitet të fortë, që ndonjëherë e bën të jetë pothuajse i ngrysur. Edhe me mua kishte një debat te Kremonese. Me ne nënshkroi një kontratë trevjeçare, por gjatë sezonit të parë nuk ishte i lumtur dhe kërkoi për ta lënë ekipin. i thashë se nuk do të ishte e mundur kjo dhe ai më kuptoi, sepse shpejt, pasi i ripërshkoi hapat e tij, zuri vend në ekip. Pas këtij episodi, me kalimin e kohës, u bëra si “babai” i tij mbrojtës. Rej më thërret shpesh, si në kohë të mira, edhe në kohë të vështira, pavarësisht se tani është plotësisht i angazhuar tek Interi. Ndërmjet nesh ekziston një marrëdhënie e madhe,” – konfirmon drejtori i grikuqëve.

Autogoli i Sampit – Në fillim të sezonit të ardhshëm, Sampdoria troket në derën e kompanisë grikuqe. Manaj shkon në Xhenova në formë huazimi, me të drejtën e blerjes për shumën e 100 mijë eurove. Kokëfortësia dhe pakujdesia e tij e lanë shenjën edhe këtu. Gjatë një miqësoreje të mesjavës kundër ekipit të parë, Manaj i jep një goditje Da Kostas në mesfushë, duke e detyruar trajnerin e tij, Françesko Pedone, që ta kërcënojë me zëvendësim. Pavarësisht sezonit të mirë me të rinjtë e Sampdorias, ky klub nuk e respekton afatin e caktuar nga Kremonese dhe nuk e shpaguan lojtarin. “Shuma shpërblyese ishte e ulët, por Sampdoria nuk e ka respektuar afatin (30 qershor 2014). Ai u kthye te ne dhe disa javë më vonë u përhap lajmi se lojtari kishte, gjithashtu, interesime nga ekipe të tjera. Klubi, pastaj zgjodhi për ta mbajtur atë. Dhe Manaj luajti vazhdimisht në ekipin e parë,” – shton Xhixhi Simoni. 22 paraqitje dhe dy gola në “Lega Pro”. Dhe pastaj bëhet pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, teksa bën debutimin kuqezi kundër Lihtenshtejnit. Familja ka pasur gjithmonë një rol të madh në jetën e tij. Ajo, gjithashtu, ishte pas tij në “audicionet” verore që zhvilloheshin dhe ku pikaseshin talentet e rinj.

Vetëm Inter – ADN-ja familjare ishte zikaltër, sepse bënin tifo për Interin. Kjo, por edhe rritja e madhe e Manajt si futbollist i ri, bënë diferencën në kalimin te skuadra e Roberto Mançinit. “Nëse më do Interi, e pranoj menjëherë”, – kishte thënë djaloshi, vetëm 18 vjeç. Dhe kështu ndodhi. Pjesa tjetër është histori. Mançini e aktivizon si titullar në trofeun “Berlusconi”, teksa për ta ndjekur nga afër kishte vajtur Xhani De Biazi. Kjo vizitë erdhi edhe për shkak të guximit të djaloshit për t’iu “përgjigjur” një deklarate të trajnerit të kombëtares kuqezi. “Për fat të mirë, siç kemi thënë, Manaj ka inteligjencë të ripërshkojë hapat e tij dhe, kur është e nevojshme, të kërkojë falje,” – tha De Biazi pas takimit me shqiptarin e Interit.

Endrra kuqezi – Me trajnerin e kombëtares u bë gjithçka e qartë, në një lokal në Milano, ku ishin të pranishëm Paolo Tramexani dhe agjenti i lojtarit, Alberto Fontana. Një keqkuptim, kryesisht për shkak të dëshirës së tij për të filluar sa më shpejt aktivizimin me ekipin kombëtar, krenaria shqiptare e çoi atë drejt veshjes së fanellës kuqezi para çdo gjëje tjetër. Tani, me Shqipërinë e kualifikuar për Kampionatin Europian 2016, është më shumë se kurrë i lidhur. Në debutimin me ekipin kombëtar, të premten e kaluar, ai shënoi pa bërë 60 sekonda në fushën e blertë. Një debutim që ndoshta Manaj nuk e kishte ëndërruar. Vetëm dhjetë sekonda pasi ishte hedhur në lojë nga De Biazi, sulmuesi i Interit shënoi golin e parë me kombëtaren. Rej thotë se grumbullimi i parë me kombëtaren kuqezi e ka përjetuar me shumë emocione, por me përkushtim të veçantë në stërvitje dhe lojë. “Gjithçka ia kushtoj familjes time. Sidomos mami dhe babi, të cilët janë vetë jeta ime, së bashku me motrën,” – thotë sulmuesi i talentuar shqiptar i Interit. Djali është bërë tashmë burrë dhe ëndrrat janë kthyer në realitet. Kokëfortë dhe këmbëngulës, si gjithmonë, sepse Rej Manaj është i tillë.

 

 

Vizita nw Lushnje

Futbollisti Lushnjar i Interit dhe i Kombëtares, Rei Manaj, vizitoi dje ekipin verdhejeshil në stadiumin “Roza Haxhiu” gjatë seancës stërvitore. Manaj ka bërë foto me futbollistët lushnjarë dhe, gjatë bashkëbisedimit, ka thënë se do ta ndihmojë ekipin e futbollit të vendlindjes me materiale sportive. Manaj shoqërohej nga nënkryetari i Bashkisë së Lushnjës, njëherësh kryetar i bordit drejtues të klubit, Gentian Nushi, si dhe nga anëtari i asamblesë, Ramazan Gjyla

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image