“Mallkimi shkodran” dhe dy arsye të tjera pse Laçi beson ende

Laçi luan prej orës 17:00 kundër Moldes dhe kualifikimi për në turin e tretë të Europa League është një mision thuajse i pamundur. Me Anorthosis Famagusta vërtet Laçi kishte humbur, por rezultati 2-1 u jepte mundësinë dhe besimin për të luftuar për kualifikimin.

Tanimë situata është tjetër. Molde është ekip më i fortë, ka fituar 3-0, nëse shënon një gol Laçit i duhen katër. Praktikisht kemi të bëjmë me një ndeshje të mbyllur. Gjithsesi futbolli ka rezervuar shpesh surpriza dhe te Laçi mund të besojnë për tri arsye, të renditura më poshtë.

MALLKIMI SHKODRAN – Molde e ka fituar ndeshjen e parë 3-0 dhe normalisht që njëfarë vetëkënaqësie edhe mund të ketë te lojtarët. Edhe pse luajnë në transfertë, ata sërish janë favoritë, ndërkohë që në Laç shpresojnë të ketë eufori te kundërshtari dhe ta shfrytëzojnë këtë. Në Shkodër, nëse do të mallkosh ndokënd, mjafton t’i thuash: “Të hyftë vetja në qejf”. Këtë “urim” kanë kurbinasit për norvegjezët.

FUSHA – Kundërshtari i Laçit i zhvillon ndeshjet në fushë me bar artificial. Fusha e stadiumit të kurbinasve është me bar natyral dhe këtë faktor skuadra e drejtuar nga Besnik Prenga do të kërkojë ta shfrytëzojë në maksimumin.

TEMPERATURAT – Bëhet shpesh kjo pyetje gjatë konferencave për shtyp kjo pyetje dhe përgjigja është standarde: “Temperaturat janë të njëjta për të dyja ekipet”. E vërtetë, por jo të gjithë reagojnë njëlloj. Për norvegjezët nuk do të jetë e lehtë të luajnë në temperatura të larta. Ndryshimi është i ndjeshëm dhe te Laçi shpresojnë që kjo të ulë rendimentin e miqve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *