Malindi: Jetike me Flamurtarin, tri pikët me ço kusht

0

 

Sulmuesi i verdhebluve, Enco Malindi, e konsideron vendimtare ndeshjen e radhës, ku fitorja do të kishte vlera të mëdha për objektivin e mbijetesës

Mariglen Miraka

Elbasani është duke punuar shumë seriozisht për ndeshjen e radhës me Flamurtarin. Kjo ndeshje do të luhet ditën e diel, pasi dje janë zhvilluar ndeshjet e kthimit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku Elbasani është eliminuar, kështu që pritet të jetë më i freskët se vlonjatët. Gjendja e skuadrës së drejtuar nga trajneri Dosti është e mirë dhe shpresohet shumë për një rikthim te rezultatet pozitive këtë javë. Stërvitjen e djeshme e kanë ndjekur nga afër edhe drejtuesit më të lartë të ekipit verdheblu, presidenti Laze dhe shefi i klubit Kita. Një fitore e mundshme me Flamurtarin do të ishte një motiv i fortë për pjesën e mbetur të kampionatit, ndërsa një tjetër humbje do të ishte ndoshta një kapitullim përfundimtar, edhe pse matematika i lejon ende të shpresojnë verdheblutë.

MALINDI – Sulmuesi kryeqytetas i Elbasanit, Enco Malindi, thekson në një prononcim për “Sport Ekspres” se për skuadron e tij nuk ka alternativë tjetër veç fitores në takimin e radhës: “Skuadra ka reaguar mirë në takimet e fundit në aspektin e lojës. Të gjithë jemi të preokupuar në stërvitje, ku do të veçoja punën speciale të trajnerit Dosti. Të dielën na pret një sfidë mjaft e fortë me Flamurtarin, por, falë përkushtimit tonë, them se do ta kalojmë me sukses. Duhet të tregojmë sa vlejmë ndaj një kundërshtari si Flamurtari, që nuk ka ndonjë objektiv madhor. Na duhen më shumë se kurrë pikët, kështu që do t’i shkarkojmë të gjitha “bateritë” në këtë 90-minutësh vendimtar. Më shumë se loja e bukur, na intereson rezultati në këtë moment. E duam me çdo kusht fitoren, që do të na shërbente shumë për renditjen, por edhe për moralin”, – ka thënë dje sulmuesi i Elbasanit.

KUNDËRTASHTARI – Më tej, Malindi ka një paralajmërim për vlonjatëve, të cilëve u thotë se duhet t’i harrojnë pikë në “Elbasan Arena”. “Ata do të vijnë për të marrë ndonjë pikë, për të na prishur punë, por e them me bindje se Flamurtari duhet t’i harrojë pikët. Nuk na bën punë as barazimi, kështu që do të japim

gjithçka në fushë. Nëse nuk mposhtim ekipet që kemi më afër në renditje, siç janë Flamurtari, Vllaznia, Teuta dhe Apolonia, nuk mund të mbijetojmë. Kam kohë pa shënuar dhe shpresoj shumë që ta gjej golin këtë radhë. Për fat të keq, edhe këtë ndeshje nuk do të kemi në krah tifozët tanë, por nuk ka asnjë justifikim. Flamurtari është “treni i fundit” për ne dhe duhet ta kapim patjetër. Duke ditur që Apolonia luan me Partizanin në kryeqytet dhe shanset janë që të humbasë, fitorja jonë me Flamurtarin do të kishte vlera të dyfishta. Kështu, nuk duhet ta humbasim këtë shans të artë”, – ka përfunduar futbollisti kryeqytetas, i cili luan sezonin e parë me fanellën e Elbasanit.

Stadiumi “Elbasan Arena”,

në pikëpyetje për të dielën

Takimi mes Elbasanit dhe Flamurtarit është në dyshim për t’u luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, ku po zhvillohen punime për pistën me tartan. Ka dyshime, por duhet pritur për të mësuar ditët e ardhshme, nëse ky takim do të luhet në Elbasan, apo drejtuesit verdheblu duhet të gjejnë një fushë tjetër. Një pistë e mundshme është stadiumi Pogradecit, por gjithçka mbetet për t’u parë. Drejtuesit e klubit verdheblu duan që kjo përballje e fortë të luhet në stadiumin “Ebasan Arena”, pasi punimet për shtrimin e pistës së re me tartan nuk prishin punë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.