Malindi dhe Lamçja lënë Elbasanin për Superligën

0

Të dy sulmuesit dëshirojnë të vijojnë karrierën e tyre në elitën e kampionatit shqiptar, ndërsa shprehin mirënjohjen për klubin verdheblu

Mariglen MIRAKA

Pas rënies në Kategorinë e Parë, largimet nga skuadra e Elbasanit priten të jenë të shumta. Të parët që do të ndërpresin bashkëpunimin me verdheblutë duket se do të jenë Enco Malindi dhe Eri Lamçja. Të dy sulmuesit kanë shprehur dëshirën për të vijuar karrierën e tyre në një nga skuadrat e Superligës. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Malindi shprehet i zhgënjyer për faktin se skuadra nuk mundi të siguronte qëndrimin në këtë sezon, ndërsa konfirmon faktin se nuk do të jetë më pjesë e elbasanasve sezonin e ardhshëm. “Në kampionatin që sapo u mbyll, të gjithë lojtarët dhanë maksimumin për të siguruar mbijetesën në Superligë, por për fat të keq një gjë e tillë nuk u arrit. Pavarësisht kësaj nuk mund të harroj faktin se në Elbasan gjeta një ambient të ngrohtë dhe një klub serioz, por kontrata ime tashmë ka përfunduar. Në këto kushte kam vendosur të mos rinovoj për sezonin e ardhshëm, duke i uruar ish-ekipit tim rikthim sa më të shpejtë të elitën e futbollit shqiptar. Largohem nga Elbasani, sepse dëshira ime si lojtar është që të aktivizohem në Superligë. Nuk e kam vendosur ende se ku do të luaj vitin e ardhshëm, pasi jam në shqyrtim të ofertave. Falënderoj presidentin e klubit të Elbasanit, Arben Lazen për gjithë përkrahjen e tij, po ashtu edhe trajnerin Muharrem Dosti dhe gjithë tifozët e skuadrës, sepse si mua ashtu edhe gjithë lojtarët e tjerë të ekipit, na kanë mbështetur maksimalisht”, përfundon sulmuesi Enco Malindi.

LAMÇJA-Një tjetër lojtar që mund të ndjekë Enco Malindin si largimi i radhës nga Elbasani është edhe Eri Lamçja. Sulmuesi pranon se vendimi i tij për të mos qenë pjesë e verdhebluve është i vështirë, por deklaron se dëshira e tij është të luajë mes skuadrave më të mira të kampionatit shqiptar. “Sigurisht që e kam të vështirë të ndahem nga kjo skuadër, sepse këtu u krijova si futbollist dhe u aktivizova për herë të parë në Superligë. Dëshira ime është që ta vazhdoj të luaj në këtë ligë. Nuk mund ta mohoj se më kanë tunduar dy oferta të ardhura në adresën time nga dy ekipe që janë pjesë e Superligës dhe tashmë më duhet të vendos për të ardhmen time. Jam në fillimet e mia si futbollist profesionist dhe kërkoj të jem ende në nivele sa më të larta. Nëse Elbasani nuk do të kishte rënë në Kategorinë e Parë, sigurisht që nuk do ta kisha menduar largimin, por për fat të keq një gjë e tillë nuk u shmang dot”, deklaron Eri Lamçja.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.