Maliki: Partizani rivali më i fortë, ja çfarë na duhet për të dalë kampion!

Edis Maliki u afrua në merkaton e verës te skuadra e Kukësit, ndoshta pa shumë bujë, por mbrojtësi i djathtë është kthyer në një titullar fiks në formacionin e Armando Cungut, duke mos humbur gati asnjë takim që nga Kupat e Europës dhe deri më tani. Mbrojtësi, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e Shkupit është e rritur ndjeshëm te ekipi i Kukësit, duke e ndihmuar skuadrën në këtë gjysmë të parë të edicion.

Në një intervistë për “SportEkspres.com”, Maliki ka folur për këtë gjysmë të parë të sezonit te nënkampionët. 22-vjeçari tregon se tani është përshtatur mjaft mirë me kampionatin shqiptar, por nuk lë jashtë vëmendjes edhe objektivat që ai ka me skuadrën verilindore, duke veçuar atë çka i duhet kësaj skuadre për të arritur te titulli kampion.

INTERVISTOI : JURGEN ZELA

– Edis, si ka qenë kjo gjysmë e parë e sezonit me Kukësin?
Këto ishin 6 muajt e mi të parë te Kukësi dhe në kampionatin shqiptar. Mendoj se ka qenë një gjysmë sezoni mjaft i mirë. Me atë çka skuadra ka dhënë në fushë, ka treguar mund t’i arrijë synimet dhe ambiciet e mëdha që ka klubi.

-Sa vështirësi keni pasur me përshtatjen në kampionatin shqiptar?
Ishte një aventurë e re për mua dhe ne e filluam me një ritëm të lartë me ndeshjet në arenën ndërkombëtare. Më pas menjëherë nisëm të luanim në kampionat. Tani mund të them se gjithçka është në rregull, jam përshtatur dhe ndihem mjaft mirë.

-E konsideroni të suksesshme këtë ecuri në 18 javë?
Është mbyllur gjysma e parë e kampionatit dhe kur kemi zhvilluar dy faza mendoj se kemi bërë një punë mjaft të mirë. Ne jemi në vendin e dytë me një diferencë të vogël nga vendi i parë. Nuk duhet të harrojmë se nuk kemi luajtur një ndeshje në shtëpi dhe në shumë takime na kanë munguar tifozët. Kjo e bën të vështirë për një skuadër që pretendon titullin kampion.

-Çfarë i duhet kësaj skuadre për të arritur titullin kampion?
Çdo skuadër ka momentet e saj të mira dhe jo shumë të mira, çka është diçka normale. Ne si skuadër nuk duhet të ndryshojmë shumë, por na duhet që të mbështesim lojtarët e sulmit që ata të jenë më të përqendruar dhe më efikasë para porte dhe të shënojnë sa më shumë gola.

-Luani në një skuadër që ka pretendime të mëdha, por dhe përkrah lojtarëve me eksperiencë. Sa ju ka ndihmuar te rriteni në aspektin personal?
Sigurisht që ambiciet dhe synimet e klubit bëjnë që ne të ndejmë më shumë përgjegjësi, por këtu ka shumë lojtarë me eksperiencë. Ata na qëndrojnë pranë dhe na japin nga eksperienca e tyre për të dhënë më të mirën tonë, por edhe për t’u rritur akoma dhe më shumë si futbollistë.

-Sa ndryshon kampionati shqiptar nga ai maqedonas?
Ka diferenca sa i përket intensitetit të lojës. Duhet të jesh gjatë gjithë kohës i përgatitur për të luajtur. Këtu janë 5-6 skuadra që kanë diferenca të vogla, çka shihet dhe nga renditja.

– Kë shikoni si rivalin më të fortë për titull këtë edicion?
-Këtë vit kampionati është mjaft i fortë dhe shumë skuadra kanë lojtarë mjaft të mirë në përbërje, por ndoshta Partizani është rivali ynë më i madh.

– Skema me tre në mbrojtje duket se është çelësi i suksesit, ju personalisht ndiheni më mirë me këtë rreshtim?
Është e vërtetë që me sistemin që kemi aplikuar së fundmi kemi bërë mirë, pasi kemi marrë 13 pikë në 5 takime dhe nuk kemi pësuar asnjë gol. Për mua personalisht nuk është problem, pasi unë ndihem mirë dhe unë do të luaj aty ku është më e mira për skuadrën.

Keni ndonjë shok nga skuadrat e tjera në Superiore që shkëmbeni ndonjë batutë para se të ndesheni me të?
Po, kam shumë në skuadrat e tjera dhe ne diskutojmë në lidhje me kampionatin. Shkëmbejmë shaka me njëri-tjetrin, por kur jemi në fushë nuk i njoh (qesh).

-Ku e shikon Maliki të ardhmen e tij?
Së pari, dua që skuadra të zhvillojë një gjysmë sezoni akoma më të mirë se kjo që kemi bërë, pasi dua që në fund të sezonit të marr trofeun tim të parë me skuadrën e Kukësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *