Malaj e Çelhaka në një mendje:  Forca jonë është grupi

Kombëtarja e 19-vjeçarëve të Shqipërisë do të zhvillojë ndeshjet kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian. Mesditën e sotme, në ambientet e kompleksit “Tropikal” në Durrës, kanë folur në një konferencë për shtyp portieri i Partizanit Malaj dhe mesfushori i Tiranës Jurgen Çelhaka, por të dy këtë herë në uniformat kuqezi.

Malaj beson se harmonia në grup do të jetë arma plus e kuqezinjve të vegjël për të korrur sukses në ndeshjet që janë programuar për t’u zhvilluar këtë muaj, por “gardiani” thekson se duhet dhe ndihma e tifozerisë në këto ndeshje: “Grumbullimi po ecën shumë mirë, me pjesën më të madhe të grupit njihemi, pasi u bë disa kohë që grumbullohemi, jemi të harmonizuar me njëri-tjetrin, ne jemi shumë shokë, marrëdhënia jashtë fushe ndikon shumë edhe brenda fushës së blertë. Ky fakt do na ndihmojë të ecim përpara. Shpresoj me grupin që kemi është një grup me cilësi e aq më tepër që ndeshjet do ti zhvillojmë në Shqipëri, besoj duhet ta shfrytëzojmë e sigurisht kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve dhe besoj do ia dalim. Ekipet kundërshtare kanë kualitet por me impenjimin maksimal mund t’ia dalim”.

Edhe mesfushori i bardhebluve ka vënë në dukje se kundërshtarët janë mjaft të fortë, por se skuadra do të bëjë më të mirën e saj që të arrijë tek rezultatet pozitive: “Me të gjithë shokët e skuadrës njihemi edhe më përpara pasi kemi pasur disa grumbullime me Kombëtaren U-19 dhe mendoj se jemi një grup solid dhe shpresoj të ecim sa më shumë përpara. Duhet të mendojmë të stërvitemi sa më mirë pasi dhe pritshmëritë i kemi të mëdha. Ne luajmë në shtëpinë tonë pavarësisht që kundërshtarët janë të fortë, do të bëjmë maksimumin”.

Shqipëria bën pjesë në grupin e 8-të së bashku me Norvegjinë, Sllovakinë dhe Ukrainën. Ndeshjet do të zhvillohen nga data 10-16 tetor në “Niko Dovana” Durrës dhe stadiumin e Kamzës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *