Makabre, skenari i padëgjuar i klubit irlandez për të shtyrë ndeshjen

Një histori sa e pabesueshme, aq edhe makabre në Irlandë. Klubi i Balibrak, që militon në “Leinster Senior League”, publikoi lajmin e pavërtetë të vdekjes së një prej futbollistëve të ekipit, me qëllim që të merrte leje nga federata për të shtyrë ndeshjen.

Ndeshja e fundjavës u shty, ndërsa në fushat e tjera u mbajt një minutë heshtje nga të gjithë futbollistët, të cilët në shenjë solidarizimi, mbajtën në krah shiritin e zi. Megjithatë, në fund e vërteta u zbulua dhe pasi klubi përfundoi në qendër të kritikave, drejtuesit kërkuan ndjesë, duke larguar nga puna edhe personin përgjegjës.

Zyrtari i klubit nxorri lajmërimin fals se ish-lojtari spanjoll, Fernando Nuno La Fuente, humbi jetën pas një aksidenti rrugor, duke u kthyer në shtëpi nga stërvitja. Sipas “Irish Time”, djaloshi është shëndosh e mirë dhe prej muajit shtator jeton në Galuej.

Nëpërmjet një deklarate zyrtare, klubi amator i kërkoi falje të gjithëve dhe në veçanti, ish-futbollistit të skuadrës, i cili e pranoi ndjesën për këtë ngjarje aspak të zakontë. Megjithatë, tani ekipi i Balibakut rrezikon masa të ashpra ndëshkuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *