“Magjia e dashurisë më e fortë se e urrejtjes”, mënyra si Egbo po i mahnit të gjithë me Tiranën

Tirana arriti të fitonte në shifrat 2-1 ndaj Bylisit, ku as këtë herë nuk munguan polemikat. Sidomos për golin e dytë, ku ballshiotët që ishin të nxehur pas takimit e kishin me arbitrin duke i kërkuar anullimin e golit për pozicion jashte loje dhe pastaj për faull.

Por kjo histori i përket moviolës dhe së shkuarës, fakti është që Tirana me Egbon ka grumbulluar 4 fitore nga 4 ndeshjet në total. Një statistikë që flet qartazi për harmoninë në kampin bardheblu. Ndërkohë sekreti i këtij ekipi është një edhe i vetëm, trajneri i gjetur në shtëpi.

Futbollistët nuk ia kanë “frikën”, por e konsiderojnë si pjesë të grupit të tyre shoqëror duke u shprehur lirshëm në fushë. Egbo nuk dëshiron të marrë rolin e protagonistit dhe të gjithë meritat, nisur këtu nga fjalët e thëna pas ndeshjes dhe pozicioni ku del në fotot e festave pas takimeve dhe është e vështirë ta dallosh.

Të gjitha këto detaje flasin qartë për transformimin e Tiranës që nuk do dorën e hekurt, përtej gabimeve të arbitrave që kanë ekzistuar edhe më parë, kur Ahmataj dhe Mema u larguan duke dështuar me rezultatet. Një tjetër veçori për t’u përmendur është edhe besimi i madh i Egbos te Zoti. Ndoshta kjo ka krijuar edhe një magji te skuadra, pasi dy ndeshje nga këto të katërtat e luajtuara, i ka fituar në minutat shtesë. Pikërisht ndaj Partizanit në derbi ku u thye mallkimi dhe ndaj Bylisit, për të dalë me 6 pikë prej tyre.

Ndoshta edhe falenderimet e mëdha që Egbo i jep Zotit duke thënë se ndikoi në fitore nuk janë edhe aq të pavenda. Por që tifozët e Tiranës dhe gjithë opinioni publik të bindet për këtë “ndihmë yjnore” që nuk mund të shihet dhe preket, atëherë duhet të shpallet kampion për 100 vjetorin. /Sport Ekspres/