Magjia e Champions League, çfarë presim nga tetë më të mirat e Europës

Champions Liga ka mbërritur në fazën më emocionuese. Sot në mesditë u hodh shorti i fazës çerekfinale, që dhuroi sfida shumë të forta. Katër janë ekipet angleze në këtë fazë, gjë që nuk ndodhte që nga viti 2009. Liverpuli dhe Mançester Siti shikohen si skuadra  që mund t’i shkojnë deri në fund kësaj lufte dhe të çojnë trofeun. Të kuqtë kapën finalen vitin e kaluar, duke u thyer në fund nga Reali i Madridit.

Fat të keq i ka dhuruar shorti skuadrës së Mançester Junajtid, që peshkoi Barcelonën. Do të kemi edhe një përballje tërësisht angleze, ku Siti do të ndeshet me Totenhemin për një biletë për në gjysmëfinale. Short i mbarë për Liverpulin. Porto është rivali i skuadrës së Jurgen Klop. Ndërkohë, të vetmit të mbetur nga “dinastia” italiane, Juventusi do të kenë të bëjnë me Ajaksin e Amsterdamit. Do të duhet të presim prillin për të shijuar spektaklin e Champions, pasi çerekfinalet e para luhen me 9 dhe 10 prill.

TOTENHEM-MANÇESTER SITI
Mund të konsiderohet supersfida e kësaj faze. Janë dy ekipe që ndeshen të paktën dy herë në vit dhe e njohin shumë mirë njëra-tjetrën. “Qytetarët” konsiderohen favoritë kundrejt “Spurs”-ave,  duke parë ecurinë e deritanishme. Janë përballur vetëm një herë në këtë sezon dhe Mançester Siti ka trimfuar me rezultatin 1-0. Qëndrojnë në vendin e parë të Premier Ligës dhe janë 13 pikë para skuadrës së Poçetinos, që mban vendin e tretë.

Guardiola e ka shndërruar ekipin e tij në një “përbindësh” që e “masakron” kundërshtarin. Ndërkohë Totenham ka vite që qëndron në katër ekipet më të mira të ishullit dhe gëzon qëndrueshmëri në lojëra e rezultate, për shkak se ka një grup të mbledhur e të konsoliduar, të cilët kanë disa vite që luajnë bashkë. Bëjnë një lojë tërheqëse dhe kanë një trajner të zotin,  si Poçetino. Kujtojmë që do të kemi tre sfida brenda 12 ditëve mes këtyre dy ekipeve.

AJAKS-JUVENTUS
Italianët vijnë në këtë sfidë si favoritë kryesorë. Kanë “djegur” garën për Serie A dhe arritën të bënin mrekullinë falë Ronaldos ndaj Atletikos së Madridit. Kjo i ka dhënë vetëbesim të madh skuadrës bardhezi për të shkuar drejt triumfit. Uria që kanë për këtë trofe është e madhe, pasi i mungon që nga viti 1996. Italianët e kanë të vështirë ta “gëlltisin” këtë fakt. Ronaldo, në momentin më deçiziv, rezultoi efikas dhe i gjithë ekipi bindi.

Gjithsesi Ajaks është ekipi që dhuroi lojën më të bukur në 1\8, madje i dha një leksion futbolli kampionëve në fuqi, Realit të Madridit. Ka një moshë mesatare shumë të re, por që luajnë me një pjekuri të frikshme. Djemtë e Alegrit do të bënin gabimin më të madh nëse do t’i merrnin lehtë holandezët.

MANÇESTER JUNAJTID-BARCELONA
Ole Gunar Solskjaer i ka dhënë fytyrën e vërtetë “djajve të kuq”, duke pasur një ecuri të mrekullueshme që nga ardhja e tij. 14 fitore, dy humbje dhe dy barazime regjistron Junajtid në drejtimin e tij. Eliminoi një favorit siç ishte PSG, duke e konfirmuar veten si një kandidaturë serioze për të shkuar sa më larg. Mbrojtja është “thembra e Akilit” me pasigurinë që ka treguar, gjithsesi kanë një ofensivë cilësore, me lojtarë si Rashford, Marsial, Lukaku, Lingard dhe Pogba.

Nga ana tjetër ecuria e Barcelonës ka qenë gati perfekte. Kanë shkatërruar në çdo aspekt rivalët e Realit në Spanjë,  duke i mundur tre herë dhe barazuar një. Kanë futur në “xhep” La ligën, janë finalistë të Kupës së Mbretit dhe do përballen ndaj Junajtid në çerekfinalet e Championsit. Mesi është në gjendje optimale pas problemeve që pati për gati një muaj. Kur është ai mirë, edhe Barça është mirë. Spanjollët kanë mundësi të sigurojnë tripletën e tretë në histori. Katalanasit kanë dëshmuar se janë ekipi më i rrezikshëm i momentit dhe Junajtid duket një rival i kalueshëm lehtësisht nëse janë vetvetja.

LIVERPUL – PORTO
Jurgen Klop mund ta ndjejë veten me fat. Përballet me rivalin më të lehtë në letër dhe nuk mund të kishte më mirë se kaq. “The Reds” shihen si favoritë absolut dhe e shohin afër gjysmëfinalen. Gjermani ka bërë një punë të madhe, duke e shndërruar Liverpulin në një nga ekipet me të frikshme të botës. E mori në një periudhë “të zezë” për klubin dhe tifozët. Tashmë ato kanë në gjirin e tyre lojtarë si Salah, Mane, Van Dijk apo Alison, të cilët ofrojnë një siguri në sulm dhe në mbrojtje. Një ekip i kompletuar me pak fjalë.

Te Porto ndihen të lumtur që kanë ardhur deri këtu dhe nuk kanë çfarë të humbasin. Do japin maksimumin ndaj një kundërshtari dukshëm favorit. Gjithsesi ekipi portugez nuk ka ardhur më kot deri këtu. Bëri një përmbysje të madhe ndaj Romës dhe qëndron e dyta pas Benfikës në kampionatin portugez. Emra si Marega, Brahimi apo Militao e bëjnë Porton një ekip jo të letë për t’u mundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *