Magani vlerëson Vllazninë, por: Teuta është superiore

0

Vladimir Prenga

Teuta pret Vllazninë në stadiumin “Niko Dovana”, dyert e të cilit janë hapur nga drejtuesit e ekipit, që presin mbështetjen maksimale të tifozëve, që këtë herë duhet të “zgjohen” dhe të jenë krah ekipit, madje jo vetëm ndaj Vllaznisë, por deri në fund të këtij sezoni që do të jetë tepër i luftuar dhe durrsakët do kërkojnë të sigurojnë sa më parë mbijetesën. Por fillimisht kërkohet gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë, që e gjen Teutën gati, siç edhe thotë sulmuesi Artur Magani në një prononcim të dhënë për “Sport Ekspres”. Deri më tani skuadra bregdetare ka luajtur mirë, por goli është ai që ka munguar, dhe atë Magani Jr. shpreson ta gjejë që në sfidën e sotme. “Më Vllazninë është një ndeshje shumë e fortë dhe shumë e rëndësishme për ne. Jemi duke e pritur të qetë dhe besimplotë në vetvete për të marrë një rezultat pozitiv. Mendoj që këtë vit të gjitha ndeshjet i kemi luajtur mirë, por ka munguar goli, që është detyrë e imja dhe shpresoj shumë ta gjej këtë ndeshje” u shpreh fillimisht 22-vjeçari, që kualifikimin në gjysmëfinale e sheh si një objektiv të realizueshëm, ashtu si Teutën superiore ndaj Vllaznisë. “Kualifikimin në gjysmëfinale e shoh më se të mundshëm. Mendoj që jemi më superiorë se kundërshtari, sepse luajmë në grup dhe jemi të “uritur” për arsyen se shumica e lojtarëve tanë nuk e ka ngritur asnjëherë trofeun e kupës”, vijon Magani, që flet më pas për kuqeblutë, që sipas tij janë një skuadër që do ta vlerësojnë aq sa u takon. “Nuk na tremb aspak kundërshtari, të cilin as nuk do ta nënvlerësojmë as nuk do ta mbivlerësojmë. Do ta vlerësojmë aq sa i takon, por duke pasur besim që do e fitojmë ndeshjen”, përfundoi sulmuesi i Teutës, që do kërkojë të përmbysë humbjen 1-0 të pësuar në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here