Magani: Teuta luan shanset e veta

0

Trajneri i “djemve të detit” kërkon të mbajë në tonus skuadrën dhe beson te një paraqitje dinjitoze, pa përjashtuar rezultatin pozitiv

Dy fitore në po kaq ndeshje në Superligë, për Teutën është një bilanc më se pozitiv, ndërsa “djemtë e detit” e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon të ri. Të besuarit e trajnerit Gugash Magani do të udhëtojnë sot drejt Kukësit për të zhvilluar sfidën e vlefshme për javën e 3-të të kategorisë superiore. Një takim i cili është vlerësuar maksimalisht në radhët e Teutës, duke qenë se përballë do të jetë një kundërshtar potencial, por edhe për faktin se verilindorët vijnë pas një humbjeje pësuar një javë më parë në Korçë ndaj Skënderbeut. Për këtë arsye, edhe trajneri Magani iu ka kërkuar të tijve të luajnë të përqendruar dhe të shfrytëzojnë në maksimum rastet që do t’iu paraqiten përpara portës kundërshtare. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, numri 1 i stolit të Teutës tregohet i matur në deklaratën e tij, ndërsa pranon se sukseset në dy ndeshjet e para duhet të shërbejnë për ekipin e tij pozitivisht, por në asnjë mënyrë për të kaluar në eufori. “Nëse do të luajmë ndaj Kukësit me të njëjtin besim dhe përqendrim që kemi shfaqur në seancat stërvitore, mendoj se do të marrim një rezultat pozitiv. Do të jetë një përballje e vështirë, sepse luajmë në transfertë ndaj një ekipi që ka bërë paraqitje mjaft të mira në sezonet e fundit dhe që ka rivalizuar për titullin kampion. Megjithatë, mendoj se nëse shmangim euforinë dhe shfrytëzojmë shanset tona, asgjë nuk është e pamundur. Deri në këto momente kemi bërë mjaft mirë në kampionat, por ende nuk kemi arritur asgjë. Kampionati sapo ka nisur dhe fakti që jemi në krye nuk duhet të na kthehet në bumerang”, pranon trajneri Gugash Magani.
OBJEKTIVI- 6 pikë në dy ndeshjet e para i japin të drejtën Teutës të mendojë se ky është një sezon, në të cilin skuadra bregdetare do të jetë faktor në kampionat, duke i hapur punë çdo ekipi. Por trajneri Magani nuk kërkon të vendosë përkufizime të tilla që në këto momente, duke pranuar se është i përqendruar vetëm: “Të mbaj në tonus ekipin. Nuk kërkojmë të vendosim objektiva afatgjatë për sezonin. Kërkojmë të marrim njëra pas tjetrës ndeshjet dhe të japim maksimumin në çdo 9-minutësh. Nuk ka rëndësi se çfarë do të ndodhë në përballjet pasardhëse. Mjafton të luajmë shanset tona përballë çdo kundërshtari me besim. Në këtë mënyrë, rezultatet do të vijnë vetvetiu”, përfundon trajneri i Teutës, Gugash Magani.
2 MUNGESA
Teuta nuk do të ketë të gatshëm për takimin kundër Kukësi, Erand Hoxhën dhe Resul Kastratin, të dy për shkak dëmtimesh.

Andi TANKU

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.