Magani, kontratë 3-vjeçare në Vlorë

0

Gugash Magani është zyrtarisht trajneri i ri i Flamurtarit. Edhe pse nuk e ka hedhur ende firmën, ai ka mbyllur gjithçka me klubin vlonjat, ndërkohë që më parë ka bërë edhe shkëputjen nga Teuta. Lajmin e publikuar disa ditë më parë nga “Sport Ekspres” e pohon vetë trajneri Magani: “Po, kam mbyllur gjithçka dhe jam trajner i Flamurtarit”, – u shpreh shkurt Magani dje në mbrëmje. Trajneri i ri i vlonjatëve dhe administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, janë takuar dje paradite në Vlorë, në ambientet e klubit kuqezi, ku kanë mbyllur gjithçka. Në fakt, mungon prezantimi, që është thjesht një formalitet dhe që do të bëhet javën e ardhshme. Kishin mbetur për t’u saktësuar vetëm disa detaje të vogla, por Gugash Magani mund të quhej trajner i Flamurtarit. Nga sa mësohet, trajnerit Gugash Magani, i cili rikthehet në Vlorë pas pesë vitesh, i është afruar një kontratë trevjeçare, pasi ka një projekt të rëndësishëm për ta çuar skuadrën vlonjate drejt majave të futbollit shqiptar. Dje Magani dhe Idrizi kanë diskutuar për gati një orë, por pas takimit nuk kanë dhënë asnjë konfirmim zyrtar. Në mbrëmje ka qenë vetë trajneri Magani, i cili ka thënë se është zyrtarisht trajner i Flamurtarit. Magani do të vijë në Vlorë bashkë me ndihmësin që ka pasur te Tirana dhe Teuta, Klodian Dervishin, ndërkohë që të tjera detaje do të mësohen ditën e prezantimit të tij dhe më pas.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here