Magani: Humbje e merituar, jemi nën presion

Trajneri i Teutës, Gugash Magani, e ka pranuar humbjen në Kukës, duke e pranuar se disfata ishte plotësisht i merituar. Teuta, sipas tij, luajti mirë vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes, ndërsa ankesa e tij është edhe për arbitrimin, sërish ndëshkues. Gjithsesi, Magani sheh si problem më vete edhe presionin e madh nga rezultatet e fundit negative.

“Edhe pse humbëm, jam i kënaqur nga skuadra në pjesën e dytë. U paraqitëm mjaft mirë në pjesën e dytë, por nuk ia dolëm të merrnim pikë dhe kjo ka disa arsye. Skuadra ishte nën presion, disa lojtarë e përjetuan shumë keq humbjen ndaj Partizanit dhe sot ishim pak të ndrydhur.

“Kemi marrë një pikë në 4 ndeshjet e fundit, por në 3 ndeshjet e shkuara mund t’i kishim fituar të gjitha, duke dominuar. Sot morëm një humbje të merituar, kështu e ka futbolli. E nisëm shumë keq ndeshjen, sa për meritë të Kukësit, ashtu edhe për fajin tonë. Mendoj se Kukësi e meritoi fitoren, sepse ishte gjatë gjithë kohës në avantazh dhe me rezultat të pastër.

“Ndryshimi i portierit? Nuk ka ndodhur shpesh, vetëm një herë ka luajtur Moçka, për shumë arsye. Sot nuk jam i kënaqur nga Kastrati, por njeri është edhe ai, ashtu gaboi edhe Moçka javën e shkuar. Mendoj se është fati im i keq, por edhe i tyre.

“Dorëzim? Jo, unë nuk dorëzohem kurrë, por një skuadër e re do shumë punë që të vijë aty ku duhet dhe të menaxhojë situata të vështira. Lojtarët japin shpirtin në fushë, përgjegjësitë e humbjes janë të miat. Për sa i përket sulmuesit kryesor, që nuk po luan, ka ardhur për të luajtur, por është i dëmtuar, ndërsa sulmuesi tjetër që nuk po mundet të shënojë, nuk është në ditë të mirë. Detyra e sulmuesit është të shënojë, bien shumë në sy gabimet e tij dhe të portierit.

“Gjykimi? Si me Partizanin, ashtu edhe sot, nuk jam aspak i kënaqur me gjyqtarin. Penalltia ishte e dukshme, arbitri ishte shumë pranë, nëse shënonim dhe shkonim 2-1, gjithçka ndryshonte. Nuk është justifikim, ne humbëm dhe e merituam humbjen, por arbitrat duhet të tregohen më profesionistë, sepse janë pjesë e rëndësishme e ndeshjes”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *