Magani: Doja fitoren, nuk ishte ndeshje e mërzitshme

Trajneri i Teutës, Gugash Magani, ka mbetur i kënaqur te barazimi në Vlorë, mbi të gjitha sepse skuadra e tij po gjen vazhdimësi në lojë e rezultate. Nga ana tjetër, peqinasi nuk pranon të flitet për një ndeshje të mërzitshme, duke e quajtur një ndeshje të mirë, por mungesa e tifozerisë ia uli ritmin.

“Nuk jam dakord të thuhet që ishte ndeshje e mërzitshme. Ashtu është ndeshja kur njëra skuadër nuk bën asgjë, zvarritet, nuk provon të luajë futboll, simulon. Ne luajtëm ndeshjen tonë, kundër një prej ekipeve më të mira të Superiores. Patëm avantazh mungesën e tifozëve, nuk luhet futboll i mirë pa ta. Mund të kishim shënuar, patëm raste të mira dhe nuk jam i kënaqur me një pikë. Skuadra po punon mirë dhe sot u kënaqa sepse pashë një skuadër të mobilizuar dhe në masë më të madhe bënë gjithçka mirë.

“A kaloi momenti i keq? Skuadra ka qenë shumë e rënduar psikologjisht nga rezultatet e javëve të shkuara, por dy fitoret e fundit dhe ky barazim sot na japin vazhdimësi dhe qetësi. Kemi rregulluar renditjen dhe moralin.

“Sa për ndeshjen e sotme, mungesa e tifozëve bëri që ritmi të ishte mjaft i ulët, sepse prania e tyre ndryshon shumë. Skuadra ime po rritet dita-ditës, janë edhe shumë ndeshje përpara dhe pika e sotme ishte e kthesës dhe tani e tutje Teuta do të luajë edhe më bukur dhe do të marrë më shumë rezultate. Kemi luajtur mirë edhe më parë, por tani po marrim edhe pikë. Skuadra po punon dhe tani po beson shumë te vetja. Më parë media na kishte fryrë shumë dhe gabuam ndoshta edhe me deklarata. Teuta është një skuadër e re dhe ka nevojë për kohë, që të njohë metodat e trajnerit dhe filozofinë e klubit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *