Magani besnik i kontratës: Qëndroj te Besa, përforcohemi në qershor

Gugash Magani u ul në stolin e Besës gjatë merkatos së muajit janar, me synimin se skuadra do ngjitej në Kategorinë Superiore. Kjo nuk u arrit dhe menjëherë pas mbylljes së kampionatit, nga skuadra u larguan Çaço, Danaj, Çekiçi, Mziu e Dikson, por drejtuesit i kanë dhënë fund këtyre rrjedhjeve. Këtë e konfirmon trajneri Gugash Magani, i cili për SportEkspres.com deklaron se ai do vazhdojë punën në stolin e Besës, në respekt të kontratës.

“Unë do ta respektoj kontratën që nënshkrova në janar me Presidentin Nexhat Bizhdili dhe do jem përsëri te Besa edhe sezonin të ri. Natyrisht që për këtë kam marrë garanci nga presidenti, i cili si fillim ka menduar që ta nisë sezonin nga rregullimi i fushës dhe i ambienteve në stadium. Nga drejtuesit e klubit paralelisht është punuar edhe për merkaton, sepse në sezonin tjetër do ta synojmë më fuqishëm Superioren”, theksoi Magani.

Ndërsa për emrat në merkaton e Besës, Magani theksoi se së pari u ndalën largimet dhe më pas do ketë edhe përforcime. “Nga skuadra që mbylli këtë sezon u larguan pesë titullarë, por nuk do ketë më të tjerë. Do qëndrojë ky grup dhe gjatë muajit qershor do të hyjmë fuqishëm në merkato. Emra konktretë unë nuk mund të deklaroj, pasi me dy-tre futbollistë jemi ende në bisedime. Me fillimin e qershorit do zyrtarizohet merkato”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *