Lutaj i bindur: Flamurtarit s’ia merr kush vendin e dytë

Ish-trajneri i vlonjatëve: Sezon mjaft pozitiv dhe Europa është e sigurt. Kupa mund të fitohet, skuadra e Duros është në avantazh ndaj Partizanit  

Elton Nika

Një sezon pozitiv dhe një Flamurtar i denjë për Europën. Ky është konstatimi i ish-trajnerit të vlonjatëve në vitin 2014, Edmond Lutaj, i cili jeton dhe ushtron profesionin e tij në Suedi. Lutaj vlerëson ekipin që ka ngritur trajneri Duro dhe forcën e tij: “Ecurinë e Flamurtarit në këtë sezon e shoh mjaft pozitive. Skuadra është krijuar thuajse nga fillimi dhe mendoj se janë afruar lojtarë, të cilët i nevojiteshin Flamurtarit. Pozicioni në renditje i jep të drejtë stafit teknik, që do të thotë se ka vepruar drejt me afrimet e kryera në verë. Edhe gjatë merkatos së dimrit mund të them se u bënë afrime aty ku ishte nevojë skuadra, jo si vitet e shkuara, kur lëvizjet ishin në masë në largime dhe afrime, pra krijohej një skuadër nga e para. Vendi në renditje është i mirë, por ka pasur ndeshje, ku Flamurtari meritonte diçka më shumë dhe pikët në renditje duhej të ishin më shumë. Objektivi i Flamurtarit kam dëgjuar se ka qenë që të bëhej një sezon pozitiv dhe e shoh Flamurtarin minimalisht në kupat e Europës. Vendi i parë është shumë larg dhe nuk duhet menduar titulli, edhe pse ndoshta ky nuk ka qenë objektiv real i Flamurtarit. Europa është diçka reale, pasi ndodhet në vend të dytë dhe po bën një kampionat mjaft të mirë. Nuk mendoj se ndonjë skuadër mund t’ia rrëmbejë vendin e dytë. Skuadra nuk ka presion dhe kjo është diçka pozitive. Titulli? Skënderbeu është kandidat kryesor, pasi ka një skuadër dhe një klub të konsoliduar prej vitesh. Ka diferencë pikësh dhe po shkon drejt titullit”, – thotë trajneri vlonjat, i cili shpesh ka shprehur besimin e tij për punën e trajnerit Duro në krye të Flamurtarit.

KUPA – Për Kupën e Shqipërisë, ku vlonjatët kanë shanse të shkojnë në gjysmëfinale, pasi e kanë fituar ndeshjen e parë me Partizanin, Lutaj shprehet: “Edhe Kupa është e arritshme, pse jo. Flamurtari ka fituar ndeshjen e parë dhe shkon i favorizuar në atë të kthimit ndaj Partizanit, që deri tani ka zhgënjyer me sezonin që po bën. Por kujdes, kundërshtari tashmë e ka objektiv të vetëm kupën dhe do të bëjë gjithçka për përmbysjen. Fitorja në ndeshjen e parë i jep shumë shanse Flamurtarit, që është një skuadër shumë e vështirë për t’u mundur. Besoj se Flamurtari do të kalojë në gjysmëfinale, pastaj nuk i dihet, janë vetëm tri ndeshje. Flamurtari i ka të gjitha mundësitë për të marrë trofeun. Në një sezon mund të ketë edhe gabime dhe mendoj se në ndeshje të veçanta Flamurtari mund të ishte treguar më I guximshëm në lojë. Por ky sezon është mjaft i mirë për vlonjatët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *