Lushnja, “toka e tifozëve”

0

Erjon Saliu

Lushnja ose “toka e tifozëve”, kështu mund të thuhet kur ndjek një ndeshje në “Roza Haxhiu”, ku adrenalina prek kulmin e vet. Por, jo vetëm për 90 minuta. Lushnjarët e duan dhe dashurojnë futbollin, madje këtë e kanë treguar edhe dekada më parë, kur nga qyteti i tyre, kanë udhëtuar në këmbë, drejt Kuçovës, Beratit, Fierit, Kavajës e Durrësit… Kurse sot, edhe pse me shumë grupime, më të moderuara, si: “Ultras Delegatët”, “Ultras Karbunara”, apo dhe “Çunat e Ypsilonit”, pa harruar edhe ata më të vegjlit që ndjekin rrugën e paraardhësve të tyre, për të vazhduar një traditë, në një qytet në “zemër” të Shqipërisë, që jo më kot quhet edhe “oazi i Myzeqesë”.

Para ndeshjes  –  E shtuna në mbrëmje ishte një festë. Nga Karbunara, por edhe ultrasit e qytetit, me makina, me himnin e skuadrës së tyre të zemrës, kudo dominonte ngjyra verdhejeshile. Festa sapo kishte nisur… Nuk mungojnë edhe flakadanë e fishek zjarret, një nxehje para finales së të dielës, e cila vjen sa “hap e mbyll” sytë! Qyteti gdhihet nga flamujt e shallet me ngjyrat tradicionale. Stavri Tesho, një nga ultrasit e vjetër të skuadrës, na tregon se ka një javë që ka furnizuar dyqanin e tij, në zemër të qytetit, me shaje, banderola e kapele me ngjyrat e skuadrës së Lushnjës. “Sot, nuk falim, është dita jonë”, të thotë një nga ultrasit më të flakët, i cili ka prenotuar një vend, atje pas portës, nga ana e tregut të qytetit, bashkë edhe me djelmoshat apo të tjerë bashkëmoshatarë të tij… Ndërsa, sa hyn në qytet, nuk mund të rrish pa provuar byrekët e Met Çelës. Mbiemri Çela është jo pak popullor, pasi ka lidhje edhe me kapitenin dhe liderin e verdhejshilëve, Gent Çela. “Hë mo, si do dalim sot?!”, nga tavolina në tavolinë, flitet vetëm për ndeshjen. Ka edhe nga ata që janë mosbesues, madje ekzistonte edhe ëndrra e keqe e dy viteve më parë, kur Shoshi ngriu buzëqeshjen e atyre 6000 tifozëve… Por, jo e diela ishte me Lushnjën. Sa afrohesh në kryqëzimin afër stadiumit, ora shënon 15:00, “Delegatët zhunior”, ishin ata që të organizuar, dhe rreth në 100 në numër me ngjyrat verdhejshile, bëjnë xhiro në qytet dhe lajmërojnë edhe të tjerë që të bashkohen me ta, në rrugën e vetme, që të çon në “Roza Haxhiu”. Ndërkohë, ultrasit e Lushnjës, nuk ishin të vetëm, pasi mysafirët e tyre nga Mitrovica, grupimi i mirënjohur “Ultras “Torcida” dhe komandant Shefqet Begu, marrin “stafetën” dhe përfundojnë direkt e në shkallët e “Roza Haxhiut”. Aty ku impianti, nuk ka më pllakatin e heshtjes, ashtu si gjatë gjithë sezonit. Sa hap e “mbyll sytë”, dukesh sikur je në ëndërr e stadiumi mbushet. Ndërkohë, edhe tifozeria mike nuk mungon. Nga Ballshi drjet “Roza Haxhiu”, mbërrijnë dy autobusët e parë. Kurajë për ekipin, natyrisht, jo me organizimin e vendasve. Kontrolli i policisë nuk mungon, ndërsa sapo hyjnë të parët,  mbërrijnë edhe dy autobusët e tjerë…

MASAT E POLICISË – Në fakt, kur shihje kordonët e policisë, me forca të shumta, madje jo vetëm nga Lushnja, por edhe nga Fier, e FNSH nga Tirana e “RENEA”, të duket sikur je në protestën e PD-së, një ditë më parë! Por, jo s’ka lidhje, në Lushnjë e duan futbollin, sharjet sporadike të tifozerive, nuk e prishin festën. Asnjë send ndaj njeri-tjetrit, çka tregon se edhe pse janë kundërshtarë në fushë, nuk e harrojnë faktin që i përkasin të njëjtit qark, madje, kanë qenë lushnjarët ata që i kanë përkrahur mallakastriotët në finalen e Kupës së Shqipërisë 2013 me Laçin. Por, futbolli i tillë është, miqtë i ke edhe armiq, por pa kaluar caqet….

NDESHJA – Skuadra janë në nxehje, ndërsa tifozët kanë filluar të mos e kursejnë zërin. Sharje dhe ofendime, ndërsa policët që janë afër tyre, mundohen që t’i qetësojnë. Lojtarët e Lushnjës, përshëndeten me tifozët e tyre vazhdimisht. Kudo, dëgjohet “Lushnja, Lushnja”. Qyteti oshtin nga zhurma e “Roza Haxhiut”. Edhe pak minuta ankthi, ndërsa…kapiten Gentian Çela, një shembull për të rinjtë e futbollit lagunarë dhe jo vetëm, del papritur me një tufë lule dhe drejtohet aty, në cepin e stadiumit, ku fotoja e të ndjerit Ersuel Kamxhiu, ish-kapo-ultrasi nga Karbunara. Ka edhe lot në stadium, por edhe shumë duartrokitje për gjestin e kapitenit. Ballshiotët në këtë rast “janë” me Lushnjën. Qetësi dhe duartrokitje edhe nga miqtë mallakastriotë. Çela futet në dhomat e zhveshjes, ndërsa për pak minuta bie heshtja….Një rigjenerim forcash, por…skuadrat dalin në fushë. Ka fishekzjarr dhe oshtin stadiumi. Flakadanë e tymuese, por edhe sharjet e kalojnë cakun. Skuadrat janë në fushë. Vërshëllima e Beqirit sinjalizon fillimin e krye ndeshjes, ndërsa dy tifozeritë nuk pushojnë! Ka tensione dhe në fushë, që shkon edhe në shkallë. Por goli i Sefës ngre peshë “Roza Haxhiun”, ashtu sikurse edhe Bilali, për pak sa ngrin stadiumin dhe Lushnjën! Pjesa e parë mbyllet me duartrokitje dhe mbështetje nga vendasit. E dyta është akoma më emocionuese. Me miqtë që hidhen në sulm dhe vendasit që kërkojnë të përfitojnë nga mbetja me dhjetë lojtarëve ballshiotëve. Bylisi ka edhe raste, ndërkohë që Lushnja përdor edhe taktikën e vonesës së lojës. Devolli e Bano, janë në këmbë, ka edhe për ata një ndeshje afër vijave të bardha, madje hera-herës i kalojnë ata të irrituar! Ndërkohë mbështetja vazhdon…. Madje një policë i FNSH-së që gjendet aty pyet kolegun: “Ore, po këta paskan ngrënë një kuti me vezë, kaq zë paskan?! Minutat kalojnë, ndërkohë që Sefa godet edhe shtyllën, një tjetër oshtimë në “Roza Haxhiu”.  Festa, duket se po i buzëqesh vendasve, ndërkohë që Devolli replikën me gjyqtarin e katërt, sepse ka vetëm 3 minuta shtesë! Ato kalojnë sikur hap e mbyll sytë. Lushnja kërkon që të vonojë lojën, ndërsa Beqiri vërshëllen. Lushnja në Superiore. “Roza Haxhiu” në flakë! Lojtarët vrapojnë te stadiumi, dnëkrohë që Bano përqafohet me të gjithë dhe feston në të katër anët e fushës. I pahijshëm gjesti i Byzhytit si një lojtar profesionist, ndërsa stadiumi oshtin, qyteti zien! Ngjyrat verdhejeshile “prekin” qiellin, ndërsa Kupa si kampion e Grupit B është e Lushnjës! Miqtë largohen të mërzitur, ndërsa buzëmbrëmja edhe në qytet shoqërohet me një festë akoma më të madhe. Ndërsa, në një nga lokalet në periferi, skuadra me dashamirës feston…rikthimin në “odën e më të mëdhenjve”. Ka edhe festë nga tifozët që në mbrëmje ndezin qytetin….Lokalet e natës, janë më të gjallëruar, ndërsa festa vazhdon deri në të gdhirë…Gjithçka si një ëndërr e bukur që s’ka fund.

E ARDHMJA – “Topi” është në derën e Bashkisë. Lsuhnjës, natyrisht që i bëjnë mirë premiot, qoftë edhe ato për fushat, por një qytet qe jeton me futbollin, në zemër të Shqipërisë, duhet që të bëjë shumë më shumë se kaq. Sepse të gjitha resurset i ka. Stadiumi dhe aneksi afër tij, duhet që të rikonstruktohet, sepse të gjithë po e kuptojnë, që Lushnja nuk ka më talente. Dikur, dilnin si talente: Prençe, Manko, Muka, Toshkollari, D.Çuko, A.Çuko, Gazheli, Elezi, Bano, Malko, Çukani apo dhe shumë yje të tjerë të dekadave të mëparshme. Por, vitet e fundit “talentet” kanë humbur. Ndoshta rikthimi në Superligë mund të jetë një “ogur” i mirë për të gjithë top-këmbën lushnjare. “Traktori”, ka nisur të “plugojë”….!

Image may contain: 3 people, people standing, sky, outdoor and nature

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here