Lushnja ngulmon për Kajën, kërkohet fushë stërvitore

Punimet në stadium kanë bërë që drejtuesit e klubit të kërkojnë në rrethina për një fushë ku të stërviten. Merkato mbetet e hapur

Arjan Likja

Lushnja kërkon të afrojë një mesfushor qendror dhe në dëshirat e trajnerit Bano, që në fillim të hapjes së merkatos ka qenë kavajasi Ervis Kaja. Lojtari polivalent që e mbylli sezonin e shkuar me Korabin, ishte kontaktuar prej kohësh nga lushnjarët, por nuk ka pasur një marrëveshje. Së fundmi ka pasur sërish kontakte dhe të hënën mund të ketë të reja bëjnë me dije burime të sigurta të gazetës. Palët do të diskutojnë mbi kushtet e marrëveshjes dhe mbetet për t’u parë nëse do të vijë e zeza mbi të bardhë. Kaja është formuar si futbollist te skuadra e Besës, ndërkohë që ka luajtur te Naftëtari, për të kaluar më pas në Laç, aty ku edhe pati dy sezone mjaft të mira. Stacionet e tjera të karrierës së tij ishin Tomori, Dinamo, Tirana dhe Apolonia, për t’iu bashkuar sezonin e shkuar Artan Mërgjyshit te dibranët.

PROBLEMI I FUSHËS – Me dy seancat stërvitore të ditës së sotme ekipi verdhejeshil i ka dhënë fund fazës përgatitore në Pogradec. Sot stafi teknik së bashku me futbollistët do të udhëtojnë drejt Lushnjes për të vazhduar pjesën e mbetur të fazës përgatitore në shtëpinë e tyre. Shqetësues është fakti se ku do të vazhdojnë pjesën e mbetur të përgatitjeve verdhejeshilët e Banos, pasi siç dihet tapeti i stadiumit “Roza Haxhiu” ku stërviteshin më parë myzeqarët është hequr. Ndërkohë dy anekset e stadiumit janë në kushte tejet të amortizuara dhe vazhdimi i fazës përgatitore në to do të ishte 10 hapa mbrapa për një ekip Superioreje. Drejtuesit e Lushnjes janë vënë në lëvizje për të vëzhguar fushat përreth, me shpresën se ndonjëra prej tyre do t’i ofrojë kushte më të mira stërvitore. Ky problem ngelet mjaft shqetësues, kur dihet se kampionati nis shumë shpejt.

MIQËSORET – Nga burime brenda klubit kemi mësuar se miqësorja ndaj Shkumbinit, që lushnjarët do ta zhvillonin ditën e sotme, do të zhvillohet ditën e martë. Kjo shtyrje ka ardhur nga peqinaset, të cilët kanë paraqitur edhe arsyet e tyre objektive tek drejtuesit e Lushnjes. E hëna do të jetë pushim për futbollistët verdhejeshil, ndërkohë që ditën e martë do të udhëtojnë drejt Peqinit për të luajtur miqësoren e shtyrë. Mësohet se në këtë pjesë të mbetur të fazës përgatitore do të ketë disa miqësore dhe nuk është çudi të luhen edhe 3 të tilla brenda një jave. Pas miqësores më Shkumbinin, të enjten do të luhet me Albpetrolin, ndërkohë që Flamurtari dhe Apolonia janë “projektuar” si kundërshtarët e radhës për Lushnjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *