Lushnja kërkon “t’i shtojë hallet” Kukësit

Kampionët do të synojnë të hedhin pas krahëve humbjen e fundit përballë Skënderbeut me një fitore. Lagunarët rikthehen në shtëpi dhe nuk duan të zhgënjejnë tifozët

Jurgen Zela

Në Lushnje do të luhet ndeshja e parë sezonale. Tifozeria verdhejeshile i gëzohet rikthimit të skuadrës në shtëpi, pasi stadiumi “Roza Haxhiu” është gati për të pritur ndeshjen e javës së pestë. Kundërshtar do të jetë Kukësi. Kampionët vijnë në një moment jo dhe aq të mirë, pasi veç humbjes në javën e shkuar me Skënderbeun, paraqiten me shumë mungesa. Në Lushnje do të kërkohet vetëm fitorja, për të hedhur pas krahëve humbjen në shtëpi me korçarët, megjithatë nuk pritet të jetë aspak e lehtë. Vendasit, përveç faktit se do të kenë mbështetjen e zjarrtë të tifozerisë, vijnë dhe me moralin lart. Pavarësisht se nuk ndodhen në një pozitë komode, me dy pikë në katër ndeshje, në takimin e fundit arritën që të rrëmbenin një pikë në kryeqytet, përballë Partizanit. Kjo ka rritur jo pak besimin në radhët e skuadrës, por dhe të tifozëve. Verilindorët janë të dënuar për të fituar, pasi nëse lënë pikë në Lushnje, atëherë masat e paralajmëruara  do të bëhen realitet nga presidenti Safet Gjici, i cili kërkon disa rezultate pozitive radhazi. Mund të konsiderohet me të drejtë një lajm i mirë për vendasit rikthimi në shtëpi, pasi Kukësi në Superiore në të vetmen ndeshje që është luajtur në këtë fushë, ka dalë i mundur minimalisht 1-0. Asokohe vendoste një gol i Lorenc Trashit në javën e parë të sezonit 2013-2014. Për të evituar problemet, por dhe për të rikthyer qetësinë, Kukësi kërkon fitoren që do i mbante në “ujëra të qeta”, ndërsa Lushnja synon të konfirmojë se rezultati i një jave më parë nuk ishte rastësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *