“Lukaku s’më pëlqen, ja kush i duhet Interit. Roma? Ju tregoj problemin”

Antonio Kasano është rikthyer të flasë për Interin dhe Romën. Zikaltrit janë ekipi i zemrës, ndërsa te verdhekuqtë ka kaluar momentet më të bukura në karrierë.

Kasano vlerëson jashtë mase Antonio Konten dhe nuk i kursen sulmet kundrejt drejtuesve të Romës. Romelo Lukaku është objektivi i madh i Interit në merkato. Belgu nuk i pëlqen barezit të famshëm, i cili tregon edhe sulmuesin e duhur për zikaltrit.

KONTE – “Blerjen më të madhe Interi e ka bërë në pankinë. Konte do të zvogëlojë diferencat e Interit me Juven dhe zikaltrit mund të luftojnë për titullin kampion. Serie A do të jetë e rëndësishme me Sarrin dhe Konten, ndërsa më vjen keq që u largua Alegri.”

LUKAKU – “Personalisht nuk e pëlqej si lojtar. Është çmenduri të shpenzosh atë shumë parash për atë lojtar dhe flas si tifoz. Unë do ja jepja Ikardin Juventusit për Higuain. Unë do e merrja menjëherë Pipitën.”

ROMA – “Jam i lidhur me Romën. Problemi më i madh është Palota me Fiengën dhe Baldinin. Ky i fundit nuk dallohet kurrë, por vendos gjithçka nga Londra. Ai e kishte fiksim që ta largonte Françesko Totin. Roma do të vuajë me këto lloj tipash.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *