Luiza Gega, e argjendtë dhe super mbretëreshë

0

 

Bashkë me vendin e dytë në Amsterdam është thyer dhe rekordi kombëtar nga 9’32”98 në 9’28”52. Një goxha përmirësim me garën gjysmëfinale, që do të thotë se ka ende për të dhënë

Gjergj Vyshka

Luiza Gega është e argjendtë në Kampionatin Evropian të Amsterdamit në 3000 metra me pengesa. Jo vetëm kaq, por thyen rekordin kombëtar, të cilin e kishte vendosur po vetë në 1 qershor në Montbeliard të Zvicrës me 9’32”98. Dhe pas gati një muaj e dhjetë ditësh është 9’28”52. E më tej akoma një përmirësim të rezultatit së gjysmëfinales me dhjetë sekonda, që do të thotë se ka ende potencial për të dhënë më të mirën në këtë garë jo vetëm sot, por dhe pas dy vjetësh në Kampionatin Evropian në Berlin, apo pas katër vjetësh në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Sepse Luiza Gega nuk reshtet së stërvituri dhe garuari e dhënien e rezultateve të mira. Jo më kot prej vitesh sjell medalje nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtar duke u stolisur tashmë me medaljen e argjendtë të Evropianit.

Pragu i garës – Ka mbërritur në Tiranë në ora 1:00 të mëngjesit të së dielës presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, por mendja ka qëndruar në Amsterdam. “Erdha të përgatis ambientin për të pritur medalisten”, thotë Ruli, që kishte që nuhaste atë që do të ndodhte. Është interesuar në linjë telefonike për taktikën, ndërsa e bën të ditur atë përpara garës: “E rëndësishme është që të mos çajë e vetme përpara si në gjysmëfinale. Por në 800 dhe 1500 metra e më tej të ruajë ritmin e kundërshtareve, sepse janë të gjitha me përvojë në medalje. E më pas t’i japi goditjen e fundit”, thotë Ruli, që ishte interesuar se kush e jep Kampionatin Evropian të Atletikës në Shqipëri. Askush. Një turp i madh, sepse është ndër të rrallët aktivitete në të cilat Shqipëria ngjitet në podium. E ai, apo dhe të tjerë që kanë qenë të interesuar për të parë garën e Luiza Gegës janë përqendruar në ekranet e Eurosportit, sepse asokohe kur garonte mbretëresha e atletikës shqiptare pak i bëhej vonë njeriut… Mirëpo medalja e argjendtë e stolisur nga Luiza Gega ishte një shuplakë e fortë për të gjithë.

Gara – Luiza Gega që në metrat e para ndodhet mes gjermanes Krauze dhe turkes Akda. Kjo e fundit, pas gati 3-4 xhirosh, nuk e ka mbajtur dot ritmin. E Krauze dhe Gega janë të vetme. Detyrohen komentatorët e Eurosportit t’i hyjnë kërkimeve për të gjetur se kush është Luiza Gega. Të përmendin rezultatet e saj. Sepse në Kampionatet Evropiane dhe Botërore të Atletikës është e rrallë që një shqiptare të vrapojë për të hyrë në zonën e medaljeve. E bën Luiza Gega që hera-herës ka vështirësi në kalimin e pengesave dhe vetëm në 200 metrat e fundit dhe rifillimin e xhiros së re është paralel me Krauze. 2800 metra sërish janë shpatull më shpatull, por gjermania ka hapin më të gjatë dhe ikën e vetme e para. Gega nuk e ndjen presionin e të tjerave. Është e dyta. Një mrekulli që i bën të gjithë krenar. Mbretëresha e vuri dhe kurorën e atletikës evropiane.

 

Rezultatet teknike të 3000 metrave me pengesa

1) Felisitas Gesa Krause (Gjermani)        9’18”85

2) LUIZA GEGA (SHQIPËRI)                   9’28”52

3) Ozlem Kaja (Turqi)                      9’35”05

4) Marija Shatalova (Ukrainë)              9’38”17

5) Fabiene Shlumpf (Zvicër)                     9’40”01

6) Nastasia Puzakova (Bjellorusi)          9’42”91

7) Mishele Fin (Irlandë)                   9’43”19

8) Diana Martin (Spanjë)                   9’43”65

9) Sara Trejsi (Irlandë)                   9’45”19

10) Sandra Erikson (Finlandë)              9’45”71

11) Ingeborg Lovnes (Norvegji)             9’45”75

12) Kerri O’Flaherti (Irlandë)             9’45”88

13) Meriem Akda (Turqi)                    9’55”42

14) Matilda Koval (Poloni)                 9’57”27

15) Maja Rehberg (Gjermani)                     e skualifikuar

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here