Luhet për kualifikim në Ligën e Kampionëve, pa llogari vetëm në grupin C

Luhen xhiroja e pestë e Championsit dhe e mërkura rezervon përballje mjaft interesante. Një pjesë e madhe e skuadrave mund të arrijnë që sot që të presin biletën për në raundin tjetër, megjithatë Liga e Kampionëve sjell gjithnjë surpriza.

Në grupin A, Atletiko e Madridit dhe Dortmundi do të sfidojnë respektivisht Monakon dhe Klub Bryzhin. Si spanjollët ashtu dhe gjermanët do mjaftoheshin edhe me nga një pikë për të shkuar në raundin tjetër, por sigurisht që të dyja do kërkojnë fitoren me gola, për të tentuar vendin e parë.

Në grupin B, Barcelona e kualifikuar matematikisht, luan vetëm për vendin e parë ndaj PSV-së. Skuadra e Valverdes është favorite në Holandë, por edhe vendasit do kërkojnë pikë, që të arrijnë vendin e tretë e mos të ndahen që në dhjetor me arenën ndërkombëtare.

Ndeshje shumë interesante do të jetë ajo mes Interit dhe Totenhemit, me zikaltrit që duna kualifikimin që sonte, por u duhet që të paktën të mos munden në Angli, pasi në të kundërt do të vështirësoheshin llogaritë për ndeshjen e fundit. Totenhemi në anën tjetër bëri një ndeshje të madhe në “San Siro”, por nuk arriti që të marrë pikë, teksa pa vendasit të përmbysnin rezultatin në minuta e fundit të takimit.

Shumë i komplikuar është grupi C, me Liverpulin e vendit të parë që është vetëm 2 pikë më shumë se Cervena Zvezda. Serbët udhëtojnë drejt Italisë, për t’u ndeshur me Napolin sot. Skuadra e Hysajt kërkon me çdo kusht fitoren, për të përfituar nga përballja e PSG-së dhe Liverpulit. Francezët “trembin” skuadrën e Klop me dyshen Mbape-Nejmar, të cilët janë rikuperuar për ndeshjen e sotme. “The Reds” janë finalistët e edicionit të shkuar dhe e konsiderojnë të papranueshme nëse nuk do ta kalojnë grupin, por për ta arritur diçka të tillë duhet të mos dalin sot pa pikë.

Në grupin D, Gallatasarai do të kërkojë një fitore shprese në fushën e Lokomotivës, që nuk ka asnjë pikë. Turqit do synojnë pikët e plota sot dhe më pas të shpresojnë që të kenë shanse për të arritur njërën mes Portos dhe Shalkes. Gjermanët do të shkojnë në Portugali për të marrë vendin e parë, por nuk do të jetë aspak e lehtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *