Luhet java e tretë, por problemi i madh janë… tifozët

Kategoria Superiore është në “metrat” e para dhe luhet vetëm java e tretë e kampionatit. Edhe pse kurioziteti është i madh për të parë skuadrat që janë ndërtuar, stadiumet duket se do të jenë bosh dhe në javën që vjen, për arsye nga më të ndryshme.

Në Korçë dhe në Tiranë, Skënderbeu dhe Partizani do të presin respektivisht Laçin dhe Kastrioti, por dyert e këtyre stadiumeve do të jenë të mbyllura, pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen e javës së parë mes kampionëve në fuqi dhe “demave” nga kryeqyteti. Kukësi këtë edicion do t’i luajë ndeshjet në Elbasan, larg shtëpisë, pasi stadiumi i tyre pritet që të rikonstruktohet. Numri i tifozëve kuksian pritet që të jetë sërish shumë i ulët, ashtu si në ndeshjen e Laçit. Nuk do të ishte aspak çudi që më shumë të kishte tifozë miq nga kryeqyteti, pasi kundërshtari i verilindorëve do të jetë Tirana.

Në Gjirokastër do të jetë mysafir Flamurtari, por ecuria e shqiponjave bluzi në Europë duket se i ka “ftohur’ shumë tifozët, të cilët këtë edicion nuk e shohin me të njëjtin sy si një vit më parë skuadrën. Ndeshja e fundit është ajo mes Teutës dhe Kamzës. Trajneri Shkëmbi ka ndërtuar një skuadër simpatike, por në “Niko Dovana” ka kohë që stadiumi nuk mbushet, çka nuk pritet të ndodhë as në ndeshjen e kësaj jave. Një situatë jo e mirë, pasi flasim për një kampion që rritet vit pa viti, por luhet vetëm për… stolat, pasi tifozët mungojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *