Luftëtari “vlon”, ç’po ndodh me surprizën e sezonit?

0

Gjergji Stefa

Ata dukeshin sikur mezi prisnin që të pësonin një humbje të paparashikuar, për të shpërthyer. Zgjodhën vendin dhe kohën e duhur. Kurrë më parë nuk kishin humbur këtë edicion në Gjirokastër dhe kjo 1-2 kundër Flamurtarit mjaftoi për të ndezur gjakrat. Shumë e çuditshme ngjan në fakt, sepse pavarësisht humbjes, Luftëtari luajti sërish shumë mirë, madje në pjesën e parë mund ta kishte mbyllur ndeshjen nëse do kishte disi më shumë doza cinizmi. Çfarë e shtyu trajnerin që pas ndeshjes të fliste për konspiracion dhe lojtarët të fillonin të engledesishin nëpër rrjete sociale duke dhënë idenë e një krize?

Fillojmë nga trajneri. Milinkoviç ka mbërritur në Gjirokastër nga një agjenci greke menaxhimi, e cila menaxhon jo vetëm trajnerin, por dhe lojtarët e huaj në skuadër. Sigurisht, për mënyrën se si luan Luftëtari, mund të konsiderohet zbulimi i sezonit. Megjithatë, ambicia e tij është më e madhe se kaq. Në janar ka pasur një ofertë të mirë nga Kina, ofertë e cila është ende e vlefshme dhe duke llogaritur rrogën modeste që merr te Luftëtari, si dhe bujën e milionave të Kinës, patjetër që dhe ai tundohet. Në deklaratën pas ndeshjes nuk ishte shumë i qartë. Fillimisht u mendua se ai e kishte me gjyqtarët për penalltinë e Flamurtarit, por ideja, që u korrigjua, ishte më e thellë se kaq. Dorëheqja ka dy prapaskena. E para, një paralajmërim që gjithsesi serbi do largohet në fund të sezonit dhe e dyta, një lloj blofi kundër drejtuesve. Kampionati po bëhet shumë i vështirë dhe Luftëtari nuk e ka ende garancinë e mbijetesës, pas rezultateve të tjera. Në këto kushte, nëse ai kthehet dhe gjërat nuk shkojnë mirë atëherë ai del dhe thotë: Ju pata thënë, kemi probleme të brendshme dhe të jashtme. Nuk ishte e ndershme si lëvizje. Nuk mund ta lësh skuadrën në këtë pikë të sezonit.

Klima edhe në ekip nuk duket pozitive. Lojtarët e huaj të mbërritur nga agjencia greke kanë krijuar pakënaqësi në grup. Ardhja e Mutumanes në mesfushë ndoshta ka prishur ekuilibrat e grupit. Lojtari në fjalë ka shumë cilësi, por grupi ishte i bashkuar dhe tani futbollistë si Rroca dhe Aleksi nuk luajnë më rregullisht. Trajneri është i pafuqishëm në këtë pikë. E njëjta agjenci menaxhimi që ka sjellë atë, ka sjellë dhe lojtarët. Ata nuk kanë ardhur këtu për piknik, kanë mbërritur në Shqipëri për trampolinë dhe t’i lësh në stol nuk është e thjeshtë. Ndërkohë, Bregu dhe Abazaj kanë pasur oferta brenda dhe jashtë vendit gjatë janarit dhe në këtë moment me sa duket dhe për ta tundimi i largimit është shumë i madh. Kjo është e qartë, nuk ka nevojë për shpjegime. Kur të gjithë thonë që je lojtar i mirë, herët a vonë do kërkosh të largohesh.

Në këtë situatë, duhet të ndërhyjë klubi. Luftëtari meriton ende një ‘bravo’ të madhe për mënyrën si u krijua, për mënyrën si u soll dhe për lojën e bukur që vazhdon të ofrojë. Tani është momenti për qetësi. President, klub, trajner dhe lojtarë duhet të jenë të bashkuar për ta mbyllur sezonin ashtu si bënë gjatë shumicës së garës, të luajnë mirë dhe të vazhdojnë të arrijnë rezultate pozitive. Në të kundërt, rreziku i mbijetesës është sërish aty, sepse me 2-3 humbje radhazi mund të përfundosh poshtë, te zona e ftohtë. Ata nuk duhet të kujtohen se e tentuan, ata duhet të kujtohen se bënë një sezon të madh. Nuk është vetëm çështja e gjyqtarëve, nëse do ishte kështu atëherë do ishin më të qartë. Trajneri diçka po “luan”, lojtarët janë të “hutuar”, ndërsa presidenti duhet të veprojë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image