Luftëtari “pushton” Laçin, e zgjidh “xhevahiri” Abazaj

Java e parë dhuroi një Laç fantastik në Tiranë ndaj Partizanit, por sot kurbinasit janë ndalur në shtëpi, duke u mundur 1-0 nga një Luftëtar i shkëlqyer.

Vendosi një gol i Kristal Abazajt, perfekt në këtë fillim sezoni, duke shënuar “lumë” golash mes kampionatit e Shqipërisë U-21.

Nëse kishte ende dyshime, sot u konfirmua që Laçi nuk është më një skuadër fushe dhe është transformuar në skuadër perfekte kundërsulmi, por që i mungon njeriu gol dhe kjo do t’i hapë shumë probleme në shtëpi, nëse Rexhinaldo nuk rezulton përforcimi i pritur.

Ndërkaq, Luftëtari i ri nuk ndryshon shumë nga i vjetri, sepse loja është po ajo dhe aktorët e sulmit janë po ata: Abazaj e Bregu, një dyshe e frikshme, që sot mund të shënonte edhe 2-3 gola të tjerë. Fati nuk ishte me ta, por rëndësi kanë tre pikët, të parat në këtë sezon pas humbjes në Durrës.

Luftëtari është sërish i frikshëm dhe me Shkurtajn sulmi do të kompletohet, ndërsa Laçi duhet të shpresojë që Rexhinaldo, pikërisht “ish”-i i Luftëtarit, të zgjidhë problemet e sulmit kur të jetë gati të luajë.

E diel, ora 16.00, Laç

Laçi – Luftëtari         0-1

Goli: Abazaj 60′

Laçi: Selmani, Fangaj, Gjoni, Sefgjini, Lushkja (Bushi 21′), Kallaku (Jonuzi 46′), Bardhi (Mbombo 61′), Nika, Uzuni, Eskerda, Ejo

Luftëtari: Miraka, Rapa, Beqiri, Rapo, Toledo, Ramadani (Hoxha 71′), Aleksi, Brahimaj, Lamçja (Nasif 82′), Bregu, Abazaj (Puci 87′)

Kartonë të verdhë: Bushi 63′, Gjoni 66′ / Brahimaj 50′, Lamçe 56′, Miraka 75′, Beqiri 84′, Toledo 90’+1

Gjyqtarë: Andi Koçi, Fatmir Lamaj, Herald Lisaku, Enea Jorgji

 

KRONIKA

82′ Bregu sërish pranë golit, por godet shtyllën dhe më pas ndalet nga Selmani. Luftëtari ka hapësira pa fund në kundërsulm, duhej ta kishte mbyllur ndeshjen me kohë.

80′ Lojën e bën Laçi, kundërsulmet perfekte i bën Luftëtari. Abazaj niset në kundërsulm nga mesfusha dhe pason për Bregun që shënon me portën bosh, por vlonjati ishte pozicion jashtë loje. E pabesueshme!

67′ Kundërsulmi i Luftëtarit është i frikshëm. Sërish Abazaj niset, godet në diagonale dhe shtyllë, ndërsa Bregu nuk e çon dot në rrjetë topin e kthyer në lojë.

60′ GOL LUFTËTARI! Pas shumë minutash me Laçin në sulm, Luftëtari godet me një kundërsulm perfekt. Nga mesfusha, Abazaj niset i vetëm, shmang bukur një mbrojtës dhe shënon!

44′ Zgjohet Kristal Abazaj: predhë nga distanca e largët, Selmani grushton me vështirësi në këndore. E shkëlqyer gjuajtja e sulmuesit të Shpresave, po ashtu edhe përgjigja e portierit të talentuar.

43′ Sërish pranë golit Laçi. Goditje nga këndi, gjuan Gjoni me kokë, pret bukur Miraka.

39′ Myrto Uzuni dhuron spektakël! Një gjuajtje me të majtën nga distanca dhe topi përplaset në traversë e kthehet në fushë. Sërish Uzuni, gjuajtja e tij përfundon paksa jashtë. I pafat ish-futbollisti i Apolonisë, meritonte golin!

25′ Laçi fiton një goditje dënimi në kufirin e zonës së Luftëtarit. Ani Nika godet fort, por jashtë. Tjetër rast i mirë, Laçi në rritje të vazhdueshme.

19′ Ndeshje e vakët dhe me ritëm mediokër. Rasti i parë i ndeshjes regjistrohet pas 19 minutash lojë. Sulm i Laçit, kros në zonë nga Uzini dhe Ansi Nika ndal topin e tenton roveshatën, duke goditur mbi traversë. Rast i mirë për kurbinasit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *