Luftëtari premton zgjidhjen e problemit me FIFA-n, drejtori Dadaj: As e mendojmë rënien nga Superiorja

Luftëtari ndodhet në një moment të vështirë në kampionatin shqiptar, teksa renditet në vendin e parafundit, duke lënë pas vetes vetëm Flamurtarin. E sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, FIFA do të jepte vendimin për dënimin e bluzinjve në merkato.

Kjo pasi ka një problem për të zgjidhur me ish-futbollistin brazilian që ka qenë më parë në Gjirokastër, Aurelio. Drejtori sportiv i Luftëtarit, Artur Dadaj, ka premtuar zgjidhjen e këtij problemi dhe shprehet i sigurt se skuadra do të mbijetojë në këtë kampionat.

“Është një problem që ka lindur nga administrata e mëparshme. Ne kemi nisur kontaktet me agjencinë që mbron futbollistin dhe mendojmë se me 99% do të zgjidhet problemi. Në të kundërt, do të vazhdojmë me lojtarët që kemi.

As që e mendojmë që të zbresim nga Superiorja. Kemi pasur vështirësitë tona pasi e kemi nisur vonë fazën përgatitore, por koha që kemi pasur deri tani na mjafton. Besojmë se do ta shohim Luftëtarin në nivele të larta”, u shpreh Dadaj. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *