Luftëtari mes merkatos e miqësoreve, sot përballë Trabzonsporit

Janë katër futbollistë të rinj në ekip, por të tjerë do të vijnë ditët në vazhdim. Sot luhet ndeshja e parë miqësore ndaj Trabzonsporit

Gëzim Beqiri

Ekipi i Luftëtarit do të zhvillojë sot takimin e parë miqësor me skuadrën turke të Trabzonsporit. Ndeshja luhet në orën 16:00 me orën lokale dhe 14:00 me orën tonë. Trajneri Hasan Lika, në një bisedë telefonike ka bërë të ditur se gjendja e ekipit është shumë e mirë, ashtu si dhe kushtet e stërvitjes dhe të motit, që  favorizojnë një përgatitje sa më të mirë të futbollistëve. Të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë fizike dhe po e përballojnë ngarkesën e lartë. Luftëtari po zhvillon dy seanca në ditë, pa përmendur edhe minutat që futbollistët i kalojnë në sallën e forcës. Përveç takimit të sotëm, do të zhvillohen edhe dy teste të tjerë deri në mbyllje të fazës përgatitore po me ekipe turke. Prania e disa futbollistëve të rinj në përbërje të Luftëtarit bën që stafi teknik t’i vëzhgojë me kujdes ata në ndeshjet miqësore dhe të vendosë për të ardhmen e tyre, apo edhe për formacionin.

AFRIMET – Deri sot janë vetëm katër futbollistët, të cilët i janë bashkuar Luftëtarit në Antalia. Kejdi Balla, David Bocaj, Amarildo Çekrezi dhe braziliani Marko Aurelio, i ardhur nga kampionati grek, janë futbollistët që i janë bashkuar grupit. Por të tjerë futbollistë do të testohen me mundësinë për të qenë pjesë e skuadrës, ku më të mundshmit janë Xhekson dhe Minga, të cilët deri dje nuk ishin paraqitur pranë ekipit në Antalia. Balla, Bocaj dhe Çekrezi janë zyrtarizuar të Luftëtarit, ndërsa për të tjerët do të vendoset pasi të vëzhgohen nga stafi teknik. Dje është njoftuar nga vetë futbollisti Vangjel Zguro se ai është larguar nga ekipi, ashtu si dhe Kasa. Janë larguar më parë edhe  Brahimaj dhe Hoxha, të cilët kanë shkuar te Besa, kurse Zogaj ka kaluar te Laçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *