“Luftëtari” Guerrero, beteja e fituar ndaj CAS-it dhe golat që lumturojnë gjithë Perunë

Histori për filma ajo e Paolo Guerreros, sulmuesit të njohur peruan, i cili po e mbyll karrierën si futbollist në një mënyrë të pabesueshme, plot emocione e tension, por që duket se për momentin mbizotëron lumturia.

Kapiteni i Perusë u zbulua pozitiv në një kontroll antidopingu më 8 dhjetor 2017, për përdorimin e benzojlecgoninës, metabolizanti i kokainës. Për pasojë, FIFA e pezulloi për një vit, duke i hequr mundësinë të luante në Kupën e Botës.

Pas apelit urgjent, FIFA ia uli në 6 muaj dënimin, duke ia hequr akuzën e përdorimit të drogës. Megjithatë, Agjencia Anti-Doping, WADA, apeloi në CAS kundër uljes së dënimit dhe e fitoi betejën, me CAS-in që e ngriti në 14 muaj pezullimin, ndonëse pranoi se Guerrero nuk kishte marrë ndonjë substancë që përmirësonte paraqitjet sportive.

Nuk mbaroi aty, sepse Guerrero u paraqit në një Gjykatë Federale zvicerane dhe apeloi kundër CAS-it, duke e fituar betejën për momentin, sepse u vendos që pezullimi të ngrinte përkohësisht, duke lejuar Guerreron të marrë pjesë në Kupën e Botës.

Për 34-vjeçarin nuk dihet e ardhmja pas Botërorit, sepse çështja do të kalojë në shqyrtim nga e para, por “Luftëtari” realizoi ëndrrën e pjesëmarrjes në Kupën e Botës dhe kjo ka rëndësi.

Sot Peruja luajti një miqësore kundër Arabisë Saudite në Zvicër dhe triumfoi 3-0, përballë 18 mijë spektatorëve.

Guerrero luajti nga minuta e parë dhe në minutën e 41-të shënoi golin e dytë të ndeshjes, një gol që vlen shumë për të personalisht, ndërsa Peruja është në festë, sepse ka rigjetur liderin e vet. Në minutën e 64-t erdhi edhe goli i dytë personal i Guerreros, i cili doli mes ovacioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *