Luftëtari beson te mrekullia, Mezani kërkon përqendrim maksimal te Laçi

0

Luftëtari nën drejtimin e Hasan Likës ka vijuar edhe dje përgatitjet për takimin e sotëm, atë me Laçin të vlefshëm për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Reshjet e dendura të shiut e kanë “shtrënguar” Luftëtarin të zgjedhë pallatin e sportit si “habitatin” e duhur për t’u dhënë dorën e fundit përgatitjeve të Kupës. Të ndërgjegjshëm, humbjen 3-0 të pësuar dy javë më parë në Laç, djemtë e Luftëtarit besojnë te përmbysja e rezultatit, pavarësisht forcës së kundërshtarit.

Trajneri – E si për të bërë të prekshëm përmbushjen e objektivit mos tërheqjen nga Kupa, kompeticion që të çon në Europë, “strategu“ i Luftëtarit, Hasan Lika në ditët e përgatitjeve për ndeshjen e sotme është ndalur te të tijtë, veçanërisht në aspektin psikologjik. Të “detyruar” për të shpalosur në fushën e blertë cilësitë e tyre më të mira, futbollistët gjirokastritë njëzëri besojnë te kualifikimi, edhe pse përballë do të kenë një ekip simpatik si Laçi.

Çavo – Me formacionin e tij më të mirë, Luftëtari do të zbresë sot në fushë, për të vërtetuar se jo rastësisht në shtatë përballjet e fundit në kampionat nuk njeh humbje. Ky është dhe mendimi i drejtorit teknik të Luftëtarit, Vangjel Çavo, i ftuar në një prej studiove televizive të qytetit “të gurtë”. “Jemi të ndërgjegjshëm se përballë kemi një ekip të fortë si Laçi. Rezultati i parë nuk na jep të drejtë, por në futboll besohet deri në fund. Do të tentojmë përmbysjen e shifrës 3-0. Besoj se do t’ia dalim. Në fushë do të aktivizohen më të mirët. Kemi luksin për të aktivizuar lojtarët, që kanë marrë pak minuta, pasi i kanë pontencialet e mjaftueshme“, tha mes të tjerave Çavo. Sot, Luftëtarit i duhet të hedh pas krahëve humbjen shokuese në Laç, ndaj dhe kërkon mbështetjen e tifozërisë gjirokastrite.

Thirrja e Mezanit: Nuk duhet nënvlerësuar Luftëtari!

Laçi e ka gdhirë në Gjirokastër, teksa dje skuadra kurbinase ka udhëtuar drejt qytetit të gurtë dhe e ka kaluar aty natën. Bardhezinjtë do të përballen me Luftëtarin në çerekfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e parë bardhezinjtë kanë fituar me rezultatin 3-0 në shtëpi, por gjithsesi nuk e kanë marrë aspak lehtë këtë ndeshje, madje trajneri Gentian Mezani ka theksuar se do gabonim shumë nëse do i nënvlerësonin bluzinjtë. “Dihet që objektivi ynë është të ecim sa më shumë në Kupë. Fillimisht duhet kaluar ky tur dhe ndaj Luftëtarit kemi një ndeshje të rëndësishme. E kam thënë që pas fitores tonë në Laç që akoma nuk është mbyllur asgjë. Duhet një vlerësim maksimal edhe për këto 90 minuta të dyta. Përballë kemi një ekip si Luftëtari, që di të luajë mirë futboll mirë. Nëse do ta nënvlerësonim do të gabonim, ndaj jemi përgatitur për të zhvilluar një tjetër finale. Duhet ta shohim këtë takim sikur të jetë ndeshja e parë dhe ta fshijmë atë fitore që morëm në Laç. Sigurisht që rezultati i ndeshjes së parë na favorizon, por futbolli dihet që është kapriçioz dhe çdo ndeshjeje i duhet bërë hyzmeti i duhur”, tha në mbyllje trajneri Mezani për “Sport Ekspres”. Gjatë këtyre ditëve Laçi është stërvitur me seriozitet, por ajo që ka rënë në sy ka qenë fakti që nuk është lënë të kuptohet se cili do të jetë formacioni që do të zbresë në fushën e blertë kundër bluzinjve.

Kualifikimi është shumë i rëndësishëm dhe me siguri nuk mund të ketë një rotacion të gjerë, ndaj edhe pritet që ndryshimet të jenë të vogla, gjithmonë nëse do të ketë. Sa i takon modulit të lojës, me siguri do të jetë ai i njëjti, me një 4-3-3 kur sulmohet dhe në 4-5-1 në momentin që kundërshtari ka topin. Futbollistët kurbinas kanë marrë edhe porositë e fundit nga trajneri Mezani dhe sot pritet të shpalosin më të mirën e tyre në fushën e blertë. Me Luftëtarin kurbinasit do të ndeshen dy herë brenda pak ditëve. Pas ndeshjes së stome gjirokastritët do të jenë mysafirë në Laç për ndeshjen e javës së 20-të të Kategorisë Superiore.  

 

2 përballjet në Kupë, LAÇI–LUFTËTARI

Bilanci: 2 ndeshje (2 fitore, 0 barazime, 0 humbje, golaverazhi: 5-0)

Rezultati i kualifikimeve: (nuk ka të tillë deri tani)

HISTORIA – Dy ndeshje, dy fitore të Laçit regjistrohen nëpër edicionet e 66 kupave të deritanishme të Shqipërisë.

* Më 29.08.1993 ka qenë përballja e parë “njohëse” në një ndeshje për grupin e dytë e luajtur në Laç. Kurbinasit fitojnë pastër 2-0, madje duke shënuar në tetë minutat e fundit. Fillimisht qe Spartak Qosja në minutën e 82-të që shënoi e më pas Vladimir Gjonaj pesë minuta më pas vulosi rezultatin.

* Takimi i parë në Laç për këtë edicion ka fiksuar para dy javësh një avantazh të konsiderueshëm (3-0) të Laçit. Golat nga Ansi Nika, në të 23-ën, Artur Rexhinaldo, në të 30-ën e Harallamb Qaqi në minutën e 79-të, mund të shërbejnë shumë për ekipin kurbinas që të marrë kualifikimin.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.