Luftëtarët e derbit dhe porosia e Gaz Demit, gati për betejë

0

Partizani-Tirana, derbi. Luhet për qytetin, për krenarinë e tifozëve. Një ndeshje ndryshe nga të tjerat, edhe sikur të luhej në kushte të tjera. “Demat e kuq” mund të ngrenë trofeun e titullit kampion pas 26 vitesh dhe këtë mund ta bëjnë përpara syve të “armiqve të përbetuar”. Mes tifozëve ka urrejtje, kurse në fushë askush nuk mund ta tërheqë këmbën pas.

Presioni është në krahun e Tiranës për rezultatin, por nuk mungon as te Partizani. Fjalët e shumta për ndonjë tolerim të mundshëm bëjnë që të besuarit e Gegës me çdo kusht të kërkojnë të marrin pikë. Vetëm kështu mund të mbyllen “gojët e liga”. Presidenti Gazment Demi ka qenë i qartë një ditë më parë më futbollistët.

Ai ka ndjekur stërvitjen dhe nga ajo çka u diskutua një mbrëmje më parë në emisionin “Zona Gol” në Supersport, Demi u është drejtuar lojtarëve me pak a shumë këto fjalë: “Kur humba në vitin 2014 kam dhënë një intervistë dhe kam thënë se nuk do të humbas në derbi më. Unë jam nga ata që i mbajnë fjalët dhe kërkoj angazhim maksimal edhe nga ana juaj”.

Gazment Demi dhe Erjon Braçe, duke ndjekur Partizanin | Foto: Gjergji Kollumbi, Partizani.al

FORMACIONET – Në fushë ekipet zbresin prej orës 16:30 dhe pa rënë bilbili do të jetë momenti i spektaklit në tribuna. Fanatics mungojnë dhe kjo e bën derbin ndryshe. Ndërkohë ka mungesa në të dy krahët. Karabeci e Kërçiku janë mungesat “big” të Tiranës, kurse në anën tjetër Mensah, Asani dhe Telushi janë të pezulluar.

Gega do të rreshtojë një skuadër me modulin e zakonshëm 4-2-3-1. Dihet që në portë do të jetë Alban Hoxha, kurse nga krahët e mbrojtjes luajnë të zakonshmit Ibrahimi e Trashi. Rikthehet Belica në qendër dhe partner i tij do të jetë Rexhepi. Atanda e Hila do të ngrenë një “digë” në mesfushë, kurse organizmin e lojës do e ketë përsipër Duka. Bardhi, i mbështetur nga Mala e Çinari, do të jetë në majë të sulmit.

Mema në krahun tjetër kërkon të bllokojë krahët dhe për këtë Daja e Doka do të mbulojnë linjën e djathtë, kurse linjën e majtë Hoxhallari e Greca. Turtulli e Imami do të luajnë në qendër të mbrojtjes, ndërsa para këtij reparti do të vendoset Mauxhe. Hasani e Kobina do të luajnë pak më përpara, kurse në sulm Ngo do të tentojë të kthehet në heroin e derbit.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 33
E SHTUNË, MË 4 MAJ 2019, ORA 16:30

PARTIZANI-TIRANA
Partizani (4-2-3-1):
Hoxha – Ibrahimi, Belica, Rexhepi, Trashi – Hila, Atanda – Mala, Duka Çinari – Bardhi. Trajner: Skënder Gega
Tirana (4-1-4-1):
Abibi – Daja, Turtulli, Imami, Hoxhallari – Mauexhe – Doka, Kobina, Hasani, Greca – Ngo. Trajner: Ardian Mema

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.