Luan në “pjesën tjetër të botës”, Llullaku flet për Bjellorusinë: Jam i shqetësuar, duket si të jetë vite dritë larg

Europa ka ndalur vrullin social dhe është  e gjitha në  izolim si mënyra e vetme për të  luftuar pandeminë  Covid019, që  tashmë  është  ulur këmbëkryq në  kontinentin e vjetër. Por në  gjithë  këtë  kaos të  krijuar, gjendet një shtet që vijon jetën me moskokëçarje. Në  Bjellorusi asgjë  nuk ka ndryshuar, ndërsa presidenti Lushanenko, i cili mban ende një  regjim me cënim të  të  drejtave të njeriut, shpalosi një moto të çuditshme për të gjithë në këtë kohë : “Vodka, sauna dhe punë . Kështu shkatërrohet virusi”.

Një tablo më të qartë të situatës në Bjellorusi e sjell futbollisti shqiptar, Asdren Llullaku, për Gianluca di Marzio. Sulmuesi shqiptar aktivizohet në  kampionatin bjellorus në radhët e Shakhter Soligorsk, teksa vetëm dy ditë më parë nisi sezoni i ri, madje me praninë e tifozëve në shkallët e stadiumit. Por jo vetëm futbolli, në Bjellorusi gjithçka vazhdon të  mbetet e njëjta dhe njerëzit enden rrugëve si të mos ketë ndodhur asgjë, megjithëse rezultojnë 50 raste pozitive me Covid-19 dhe mes tyre njëri është futbollist. Pikërisht një gjë e tillë e shqetëson shumë Llullakun, që shprehet se nuk ka çfarë të bëjë për të ndryshuar këtë situatë. Më tej lojtari kuqezi tregon se vendimi i qeverisë për të mos marrë asnjë masë parandaluese e ka surprizuar shumë, madje shprehet i habitur se si mund të ndodhë një veprim i tillë .

“Çdo gjë është në rregull këtu, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Shpresoj që gjithçka të jetë mirë. Ende nuk jam i sigurt sepse virusi ka infektuar vende të tjera ndërkohë. Njerëzit enden vërdallë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Familja ime është në Treviso dhe më mbajnë të informuar me atë çfarë ndodh në Europë. E di fare mirë se ç’mund të shkaktojë  ky virus prandaj vendimi i Bjellorusisë më surprizoi. Nuk është e mundur që në pjesën tjetër të botës kanë ndaluar dhe vetëm këtu jo. Më shqetëson kjo gjë, por çfarë mund të bëjmë? Janë 50 raste të infektuar me koronavirus deri tani dhe mes tyre një lojtar nga Isloch Minsk ka rezultuar pozitiv. As kjo nuk shërbeu për të ndaluar. Mes futbollistëve flitet për Koronavirusin, megjithatë ky problem madhor duket si të jetë vite dritë larg. Për të mos folur më pas për rebelim…”, ka deklaruar Llullaku./Sport Ekspres/