Luajti vetëm 15 minuta, sulmuesi i Partizanit kërkoi largimin

Sulmues pykë u aktivizua në krah të sulmit, stafi teknik nuk ka vendosur ende. 26-vjeçari nuk ka pritur më dhe është kthyer në Itali

Partizanit i largohet një tjetër lojtar. Fjala është për sulmuesin Ameth Fall. Futbollisti u afrua për një provë me të kuqtë nga ekipi i Komos. Ai luan në majë të sulmit, pasi është shtatlartë, por nuk u provua si duhet nga stafi teknik. Senegalezi u stërvit për 10 ditë me të kuqtë, por mungesa e një vendimi për të ka prishur marrëdhëniet mes palëve. Stafi teknik nuk ka dhënë një përgjigje në lidhje me futbollistin: as pozitive, e as negative. Në kushte të tilla, 26-vjeçari nuk ka duruar më dhe është larguar nga skuadra e kuqe. Vulën e këtij vendimi ja vendosi ndeshja e djeshme miqësore.

MIQËSORJA – Fall u hodh në fushë në fund të lojës nga trajneri Sulejman Starova. Ai nuk u aktivizua në pozicionin e tij natyral, por në krah të sulmit. 26-vjeçari me stërvitjet që ka zhvilluar me të kuqtë nuk ka lënë shije të keqe. Ai ka shfaqur cilësi të mira, por nuk kanë mjaftuar për të bindur stafin teknik. Fall nuk e ka pranuar mënyrën e trajtimin nga skuadra e kuqe. Afrikani nuk ka shfaqur kënaqësi në lidhje me aktivizimin e tij, pasi një lojtar që është në provë nuk mund të aktivizohet vetëm 15 minuta në një ndeshje miqësore. Lojtarit të Komos i është kërkuar të qëndrojë edhe disa ditë në provë, por lojtari nuk ka pranuar.

LARGIMI – Futbollisti i ka komunikuar largimin drejtuesve të Partizanit. Ai nuk ka pranuar të qëndrojë më në provë dhe në orët e para të mëngjesit është kthyer në Itali. Senegalezi ka kërkuar që të merret një vendim për të. 26-vjeçari ka lënë hotelin ku janë akomoduar kryeqytetasit dhe u ka kërkuar drejtuesve të kuq që nëse duan ta kenë në ekip ta thërrasin. Afrikani nuk ka pranuar të zgjaste më shumë provën e tij, pasi koha që ka qëndruar nën urdhrat e Starovës ka qenë e mjaftueshme sipas mendimit të tij.  

Tashmë një tjetër futbollist largohet dhe të kuqtë presin afrimet e reja. Ku i dihet, mbase Fall mund të thirret sërish nga “demat”, mbasr të kuqtë do të pendohen që nuk e kanë thirrur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *