Lotito kundër të gjithëve, kreu i Lazios përplaset me Marottan: Po ç’të intereson ty, e largove skuadrën

Ndalja e kampionatit italian për shkak të pandemisë Covid-19 ka sjellë edhe përplasje mes presidentëve të klubeve të Serie A. Pas debateve midis Lotitos dhe Anjelit, tani kreu i bardhekaltërve i është kundërvënë edhe Marottas, ish-drejtori sportiv i Juventusit që momentalisht punon për Interin. Presidenti i bardhekaltërve është i bindur dhe nuk heq dorë nga ideja e tij për një rikthim sa më të shpejtë në fushë, pavarësisht gjendjes ku ndodhet Italia, duke krijuar kështu shumë armiq në Serie A.

Sipas asaj që raporton “Corriere della Sera”, Lotito ka thumbuar Marottan me fjalët: “Po çfarë të intereson ty, tashmë e ke larguar jashtë gjithë skuadrën”, nisur nga fakti se afro 7 lojtarë të huaj zikaltër kanë lënë Italinë menjëherë pas përfundimit të karantinës për tu rikthyer në shtëpitë e tyre. Megjithatë drejtori sportiv Interit nuk e ka qendruar i heshtur, teksa i përmend lotitos faktin se zgjedhjet e një klubi nuk diskutohen në një asamble të ligës./Sport Ekspres/