Lorenc Trashi pret me padurim largimin: Kombëtarja do më ndihmojë, karriera jashtë Shqipërisë

Lorenc Trashi ka bërë një debutim ëndrrash me Kombëtaren e Shqipërisë, teksa ka arritur të shënojë një gol fantastik në përballjen ndaj Moldavisë. E thënë në konferencë para takimit dhe e përsëritur në mbyllje të asaj fitore në transfertë me shifrat 0-4, gjithçka është e qartë.

Dëshira kryesore është largimi nga Shqipëria, një aventurë e re në Europë, ndërsa edhe një performancë e tillë me Kombëtaren e ndihmon jo pak në këtë objektiv. Trashi është shprehur për “A2 CNN News”, se e ardhmja e tij është në duart e presidentit dhe drejtorit sportiv.

“Është një emocion i madh, duke parë se ishte debutimi i parë me kombin tim. Unë bëra debutimin që e prisja prej shumë kohësh. Ky është vetëm fillimi dhe sapo kam futur këmbët në Kombëtare.

Kampionati shqiptar ka shumë cilësi. Stafi teknik i Kombëtares ka treguar se i ka ftuar lojtarët nga futbolli ynë dhe sytë janë hedhur aty. Sa i përket së ardhmes time, ia kam lënë gjithçka në dorë presidentit dhe drejtorit sportiv që të bëjnë më të mirën për mua. Mendoj se do e bëjnë një gjë e tillë. Ai debutim me Kombëtaren do më ndihmojë në këtë aspekt, për karrierën jashtë Shqipërie dhe një klub në Europë. Po e pres me padurim një gjë të tillë”, ka thënë Trashi. /Sport Ekspres/