Lopetegi nuk “qan” për Ronaldon: E kemi në shtëpi pasuesin

Hulen Lopetegi po përjeton një vit absurd: pak ditë para Kupës së Botës mori ofertën e jetës, sepse Reali i ofroi kontratë, por kjo i kushtoi largimin nga drejtimi i Spanjës, sepse lajmi u bë zyrtar në momentin e gabuar nga Reali.

Tani Lopetegi ka një detyrë mjaft të vështirë, sepse trashëgon një Real të mbingopur me trofe dhe mbi të gjitha një Real pa Kristiano Ronaldon.

Gjithesi, edhe pse Reali nuk i ka bërë ende ndonjë dhuratë të madhe, Lopetegi shfaqet i qetë, duke folur nga Amerika, aty ku Reali po përgatitet për miqësoret në International Champions Cup.

“Po punojmë me entuziazëm, kemi kryer rreth 20 seanca stërvitore dhe po ecim me ritëm të lartë, pa dëmtime. Ronaldo? Mirënjohje të madhe për një prej lojtarëve më të rëndësishëm në historinë e Realit. Klubi e ka vlerësuar si duhet trashëgiminë e tij në fushë dhe ia ka lehtësuar largimin. Kur unë firmosa, ai ishte pjesë e Madridit, më pas shprehu dëshirën të largohej.

“Për një trajner është një sfidë emocionuese të bëjë kompetitive dhe fituese një skuadër pa Kristianon. Ka shkruar një histori fantastike në Madrid, i urojmë gjithë të mirat, por do ta vazhdojmë rrugëtimin tonë edhe pa të. Jam i kënaqur me ekipin aktual dhe jam i bindur që do të luftojë për objektiva madhorë.

“Jam i lumtur edhe nëse nuk do të kemi asnjë lëvizje tjetër, në hyrje e dalje. Kemi Bejlin, jam i sigurt që do të zhvillojë një sezon të madh, duke arritur maksimumin e vet. Është i lumtur që do të qëndrojë në Madrid dhe ka një mundësi të mrekullueshme për të treguar sa i zoti është, është i kënaqur me atë që po bëjmë dhe jemi të kënaqur me atë që po na ofron. Ai dhe Benzema kanë punuar në mënyrë fantastike, me impenjim dhe entuziazëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *