Lokomotiva Zagreb “peshkon” në Shqipëri, firmos edhe Indrit Tuci

Një tjetër i ri shqiptar ka nënshkruar me Lokomotivën e Zagrebit. Bëhet fjalë për të riun Indrit Tuci, i cili luan si trekuartist. Hapat e parë në futboll i ka hedhur në qytetin e Laçit dhe më pas ka luajtur me lezhjanët e Brian.

Shtatlarti më pas kaloi tek Akademia e Futbollit, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Në verë iu nënshtrua provës te Lokomotiva e Zagrebit dhe i bindi kroatët. Gjithsesi nuk mund të nënshkruante pasi ende nuk i kishte mbushur 18 vjeç.

Indrit Tuci dhe Arbër Mehmetllari

Priti janarin dhe tashmë i është bashkuar Lokomotivës, klub me të cilin edhe ka nënshkruar. Me Akademinë e Futbollit vijoi me paraqitjet e mira dhe në gjysmën e parë të sezonit arriti të shënonte nëntë gola.

Nga ajo çka mëson Sportekspres.com, kontrata e nënshkruar është “1+3”. Deri në fund të sezonit do të luajë me të rinjtë. Nëse bën mirë, ai dhe gjithë të rinjtë i kanë dyert e hapura edhe në ekipin e parë. Tuci ka qenë pjesë e grumbullimeve edhe me Shqipërinë U19 dhe normalisht që pret të ftohet sërish.

AFRIMET NGA SHQIPËRIA – Lokomotiva e Zagrebit i ka sytë nga Shqipëria dhe janë jo të paktë lojtarët e marrë nga kroatët. Dy prej tyre madje i ka huazuar në Superiore. Jon Mersinaj po spikat me Laçin, ndërkohë që edhe Enis Çokaj bëri një paraqitje të mirë në debutim kundër Kukësit.

Në verë blenë nga kurbinasit Myrto Uzunin për shumën e 350 mijë eurove dhe në të shkuarën kanë pasur në ekip lojtarë si Emiljano Vila, Endri Çekiçi, Amir Rrahmani, Herdi Prenga dhe Eros Grezda. Aktualisht pjesë e  të rinjve të tyre është edhe sulmuesi Arbër Mehmetllari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *