Lojtari i Veronës zbulon skandalin: Na thonin është grip i zakonshëm, ka 6-7 lojtarë që janë prekur

Italia po vazhdon me numrin e madh të të prekurve dhe të vdekurve nga Koronavirusi, ndërsa si një shkaktar kryesor është përmendur edhe futbolli. Ndeshjet kanë vazhduar në këtë vend edhe pse numrat po rriteshin frikshëm. Deri në momentin kur nisi edhe prekja e lojtarëve, për të vendosur kështu mbylljen e kampionateve.

Nga ana tjetër, është lojtari i Veronës, Valentin Eysseric, që është skandalizuar nga sjellja e Federatës. Në ekipin ku luan edhe Kumbulla me Rrahmanin, është luajtur përballja ndaj Sampdorias, tek kjo e fundit që ka pasur shumë lojtarë që kanë rezultuar pozitiv. Eysseric është i bindur se edhe shokët e tij të skuadrës janë infektuar, por pa simptoma.

“Ata na thanë se është vetëm një grip i thjeshtë, ndërkohë që kishte njerëz që vdisnin. Ishte skandaloze. Sampdoria-Verona nuk duhej të luhej. Thjeshtë e paimagjinueshme që vëmendja të shkojë te futbolli edhe kur ka jetë në rrezik. Ajo ndeshje nuk duhej të luhej. Ne lojtarët e futbollit nuk jemi takuar ende me njëri-tjetrin, por deri tani jemi mirë. Por unë jam i sigurt që pasi luajtëm kundër Sampdorias të paktën 6-7 lojtarë do të dilnin pozitiv, megjithëse nuk kishin simptoma”, ka thënë Eysseric. /Sport Ekspres/