Lojtari i Sitit kapet “mat” në 3 të natës, Guardiola: Nuk jam babai i tij

0

Mbrojtësi i Mançester Sitit, Benxhamin Mendi, ka përfunduar në qendër të vëmendjes, për shkak se është filmuar duke frekuentuar një klub nate të shtunën, në orën 3 të natës.

Francezi ka pasur një sezon plot dëmtime dhe Pep Guardiola do të kërkojë mbrojtës të majtë në verë, edhe për shkak të sjelljes së mbrojtësit, personazh mjaft problematik.

Mendi, i cili nuk ishte pjesë e ekipit për sfidën ndaj Fulamit të shtunën, u stërvit më pas, por është e qartë që duhet ta ketë nevrikosur jo pak Guardiolën, i cili në 2017 pagoi 52 milionë sterlina, për t’ia marrë Monakos.

Në të shkuarën Mendi ka bërë jo pak gafa, duke mos shkuar në kohë për kurat mjekësore sepse po shihte një ndeshje boksi, apo duke udhëtuar nëpër Europë, ndërkohë që një herë në Instagram vendndodhja e tij shkruante Hong Kong.

Natyrisht, mediat u ndalën te bëma e fundit e Mendisë, të shtunën, por Guardiola u mundua të kalonte gjithçka pa krijuar debate: “Nuk jam babai i tij, ata janë të rritur dhe duhet ta dinë çfarë duhet të bëjnë. Do doja që të shkonte në shtëpi herët, por unë nuk i kontrolloj lojtarët në atë situatë. Ndoshta nuk duket ashtu, por e bëj gjumin të qetë, nuk kam probleme”.

Guardiola vazhdon të bombardohet me pyetje në lidhje me një mbyllje të mundshme të sezonit me 4 trofe, por qetësia e tij është impresionuese: “As e mendoj fare. Në këtë vend asnjë klub në histori nuk ka mundur të fitojë 4 trofetë në një sezon, pse duhet t’ia dalim mbanë ne? Edhe Mançester Junajtid i Aleks Ferguson në 1999 vuajti tmerrësisht në finalen e kupës, fitoi me përmbysje në fund ndaj Bajernit, që goditi shtyllat dhe dominoi, ndërsa në kampionat Junajtid fitoi me vetëm një pikë diferencë. E shihni vetë sa e vështirë është”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.