Lojtari i Portugalisë mashtrohet nga shoku i ngushtë, i besoi paratë dhe ia mori 3 milionë euro

Nga Klaudio Ndreca

Lojtari i Portugalisë dhe i PSV-së, Bruma, ka pasur një situatë të vështirë dhe e ka çuar në instancat më të larta, pasi është vjedhur nga shoku i ngushtë. Nëse mund të quhet kështu, pasi Bruma ia besoi paratë duke e konsideruar si mikun më të mirë.

Në vitin 2017 kur ishte pjesë e Leipzig, vendosi që t’ia jepte të gjitha autorizimet mikut të tij, Du Ganso. Ky i fundit duhet të mbyllte disa çështje të lëna hapur në Gjermani nga lojtari 25-vjeçar, që vetë Bruma nuk mundej, pasi duhet të largohej për të vazhduar karrierën. Asnjëherë nuk ka dyshuar derisa vendosi që të blejë një shtëpi në Europën Jugore. Atje pa se në llogarinë e tij kishte një humbje prej tre milionë eurosh, që ishin përfituar nga Du Ganso. Tashmë çështja kaloi në prokurori dhe kërkohet kthimi i fondit të përvetësuar. /Sport Ekspres/