Lojtarët të hutuar pas telefonave, shpërthen trajneri i Laipcig: Disa po tallen me ne!

Laipcigu po përjeton një situatë të vështirë, si pasojë e disa rezultateve të dobëta. Ekipi gjerman nuk e nisur sezonin në mënyrë të mirë. Kualifikimi në grupet e Europa League erdhi mes drithërimash, me Forsberg, i cili shënoi në minutat shtesë përballë ukrainasve të Zorias. Barazim me Dyseldorfin dhe humbje e thellë me Dortmundin në kampionat dhe së fundmi humbja me Salsburgun në shtëpi në Europë.

Kaosi ka përfshirë klubin gjerman, që ka marrë masa kundrejt dy lojtarëve francezë: Zhan-Kevin Agustin dhe Nordi Mukiele. Të dy lojtarët nuk kanë qenë të pranishëm në dhomat e zhveshjes bashkë me shokët e tjerë përpara sfidës më Salsburgun. Ndërsa ekipi po përgatitej për ndeshje dhe po merrte direktivat e fundit të trajnerit Rangnik, sulmuesi dhe mbrojtësi mungonin dhe nuk po gjendeshin se ku ishin.

Me kufje në vesh dhe celular në duar, dy lojtarët u gjetën në pankinë në fushën e blertë. Laipcigu u detyrua të niste me dy minuta me vonesë nxehjen para ndeshjes, që protokolli i UEFA-s e kishte fiksuar për në orën 20:18. Lojtarët do të gjobiten nga klubi, madje zhvilluan një ndeshje të keqe.

Rangnik, i cili mban postin e trajnerit dhe drejtorit sportiv të klubit, ka folur për situatën në fjalë, duke shprehur zhgënjimin e tij për sjelljen dhe indiferencën e dy lojtarëve.

“Para ndeshjes me Salsburgun ndodhën gjëra që nuk duhet të ndodhin. Nëse do e mësoja më herët nuk do të aktivizoja disa lojtarë. Këto janë gjëra që shpjegojnë pse disa lojtarë nuk ishin gati për ndeshjen. Situata është e çoroditur. Sillemi për tre muaj nëpër Europë për t’u kualifikuar në Europa League dhe disa lojtarë luajnë në ndeshje si të ishte një detyrë e pakëndshme”, përfundon trajneri i skuadrës, Ralf Rangnik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *