Lojërat Olimpike Rinore, presidenti i dorëzon flamurin Kombëtares

Shqipëria është gati për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Rinore “Buenos Aires 2018”. Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta i dorëzoi ekipit kuqezi flamurin kombëtar, në një ceremoni të zhvilluar përpara nisjes së sportistëve dhe delegacionit.

Skuadra kombëtare do të përbëhet nga pesë sportistë, që konkurrojnë në katër disiplina të ndryshme. Relaksa Dauti në atletikë, Antonio Luli në peshëngritje, notarja Keti Rok dhe dy boksierët Muhamet Qamili në peshën 56 kg për meshkuj dhe Elsidita Selaj në peshën 75 kg për femra.

Presidenti i’a dorëzoi flamurin pikërisht nënkampiones së Europës, Selaj, e cila do të udhëheqë delegacionin shqiptar në evenimentin që do të zhvillohet në Argjentinë nga data 6 deri më 18 tetor 2018.

Në fjalën e tij, presidenti i Republikës shprehu besim se ekipi kombëtar i të rinjve, i ka shanset të arrijë rezultate të larta, falë talentit dhe përkushtimit. “Dua t’iu shpreh fjalët më të mira, njëkohësisht edhe besimin në performancën tuaj të pritshme, që jo vetëm do t’ju rrisë ju si sportistë në këto sporte të bukura dhe të vështira, por urojmë që të ngrejë më lart autoritetin e vendit tonë në arenën sportive ndërkombëtare”.

Boksieria Elsidita Selaj, flamurmbajtësja e ekipit të të rinjve tha: “Është një nder i madh të mbaj Flamurin Kombëtar dhe së bashku me shokët e skuadrës të përfaqësojmë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Rinore. Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze që të kthehemi me rezultate sa më të larta!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *