Lojërat e fatit për të shpëtuar arkat e klubeve, Serie A shqyrton idetë si të mbulojnë dëmet financiare

Humbjet financiare janë të pashmangshme këtë sezon në botën e futbollit, që është ndalur për të mos e ditur saktësisht se kur do të rikthehet sërish për shkak të përhapjes së shpejtë të Koronavirusit. Klubet kanë nisur që të mendojnë për skenarët më negativë dhe po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të pakësuar dëmet që arkat e tyre do të pësojnë. Serie A e ka marrë seriozisht këtë punë dhe sipas asaj që raporton “Corriere dello Sera” ide të reja janë duke u shqyrtuar.

Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, që ka treguar se po e vuan më së tepërmi këtë ndërprerje ku përpos dëmeve financiare iu ndal edhe ëndrra e madhe për titullin kampion, në një sezon ku bardhekaltrit i kanë mrekulluar të gjithë dhe e shohin veten vetëm 1 pikë larg Juventusit kryesues. Por Lotito ka vendosur tani të ardhurat në plan të parë dhe propozon krijimin e një loje, si Totcalcio, ku mund të vendosen baste në lidhje me ndeshjet në mënyrë që klubet të kenë mundësi të mbulojnë humbjet monetare të shkaktuara nga pezullimi i kampionatit.

Gjithashtu është menduar që një përqindje e të ardhurave të sjella nga vënia e basteve të futbollit të dhurohet për klubet, ndërsa pa u prekur nga kjo situatë nuk shpëtojnë as futbollistët. Kjo pasi kërkohet që këta të fundit të kenë një shkurtim me 30% të pagës së tyre. Të gjitha këto ide do të diskutohen në mbledhjen e sotme për t’iu propozuar më pas qeverisë./Sport Ekspres/