Logoja e re e Federatës së Kosovës zhgënjen tifozët

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në një konferencë për shtyp pak ditë më parë prezantoi fanellat e reja që do të përdorë përfaqësuesja e Kosovës. Fanellat, në tri modele të ndryshme, nuk ishin temë e diskutimeve, pasi ishin vërtet të bukura.

Megjithatë, logoja e re e prezantuar nga FFK ka tërhequr vëmendjen, pasi shumë tifozë, apo edhe dizenjues  kanë kritikuar në Facebook dhe Tëitter logon e re.

Logoja cilësohet si e punuar keq dhe nuk ka ndonjë simbol të Kosovës, aq sa shumë njerëz kërkojnë urgjentisht ndërrimin e aj, edhe pse FFK kishte hapur konkurs dhe në fund zgjodhi logon që konsiderohej më origjinalja dhe kuptimplota.

Gjithsesi, sekretari i FFK-së Eroll Salihu ka folur për Telegrafin dhe ka shpjeguar se logoja është cilësore dhe nuk do të preket për të paktën dy vite, sepse është regjistruar në FIFA.

“Hapëm konkurs, ku kanë mundur të konkurrojnë të gjithë të interesuarit dhe kemi angazhuar një komision profesional për ta zgjedhur logon fituese. Fillimisht komisioni ka zvogëluar numrin në pesë, ndërsa pastaj dy kanë rënë pasi ishin të kopjuara. Komisioni i ka prezantuar tri logot finale para Komitetit Ekzekutiv dhe së bashku kanë zgjedhur logon që tani është”.

Ish-futbollisti i famshëm kosovar, tani në rolin e sekretarit të FFK-së, thotë se logo është unike dhe ka domethënie të madhe.

“Edhe kjo logo ka domethënie, pasi tek katrori i mesëm simbolizohet harta e Kosovës, ndërsa katrorët anash kanë domethënie për të kaluarën tonë si kemi luajtur nëpër fusha dhe livadhe deri tek yjet e sotëm që kemi. Kjo simbolikë i ka pëlqyer shumë si Komitetit Ekzekutiv ashtu edhe kryetarit të ndjerë Vokrri”.

“UEFA fillimisht e ka caktuar një afat ku mund ta dërgojmë logon dhe fanellat për edicionin e ardhshëm dhe ne nuk kemi qenë gati, ndërsa ata na kanë shtyrë afatin. Tani si logo ashtu edhe fanellat janë dërguar në UEFA për Ligën e Kombeve, ndërsa kjo logo nuk mund të ndryshohet së paku për dy vite. Nëse ka reagime nga populli dhe tifozët pas dy viteve mund të ulemi dhe të bisedojmë për ndryshimin e logos”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *