Liverpuli me 5 yje shkërmoq Suonsin

“The reds” kanë fituar thellë 5-0 në një ndeshje të dominuar nga fillimi në fund

Teksa Aleks Okslejd-Çambërlein shënonte golin e pestë për Liverpulin, dukej sikur në “Anfield” nuk kishte më dëshirë për të festuar. Tifozët e “The reds” kishin parë aq shumë shkëlqim në fitoren 5-0 përballë Suonsit të rrënuar aq sa dhe golat nuk bënin më përshtypje. Përballë klubi të vendit të fundit ka qenë një ndeshje me veten për Liverpulin, sepse skuadra nga Uellsi e mbetur pa trajner nuk ka bërë rezistencë për asnjë minutë. Madje mund të quhet me fat, sepse shifrat mund të kishin qenë katastrofike.

E vërteta është se Liverpuli me paraqitjen e bërë mbrëmë mund të kishte thyer pa vështirësi edhe ekipe shumë më të forta se Suonsi, që duket se ka marrë rrugën për poshtë. Klop ka vendosur të lërë një mbrëmje pushim Sadio Mane, që do të thotë se në fushë nuk kanë qenë “Fab 4”. Por ka rëndësi ka pasur, sepse Kutinjo-Firmino-Salah kanë dhuruar shoun e radhës, duke realizuar 3 nga 5 golat e mbrëmjes. Këtë herë Salah ka mbetur thatë, por ai është zëvëendëusar nga Firmino e Kutinjo.

Golin më të bukur të mbrëmjes e ka shënuar Kutinjo, por më i miri në fushë ka qenë Firmino për të cilin “Anfield” ka dhuruar një “standing ovation” në momentin e daljes. Liverpuli e ka nisur menjëherë me gol takimin, teksa Kutinjo ka realizuar një perlë pas 6 minutash.  Një gol që ka hapur portat e përmbytjeve, ndonëse Liverpuli është kursyer në pjesën e parë duke mos shfrytëzuar një duzinë rastesh të krijuara. Por në pjesën e dytë “të kuqtë” nuk janë përmbajtur. Vetëm 7 minuta nga fillimi dhe Firmino kapitalizon një kombinim me Kutinjon. Ndeshja ka mbaruar këtu, teksa Suonsi dalëngadalë ka nisur të shpërbëhet. Kjo ka bërë që golat të vërshojnë, me  Trent Aleksandër-Arnold që ka shënuar të tretin, Firmino të katërtin dhe të dytin personal, me vulën që ia ka vënë Çambërlein (82’). Madje ky i fundit as ka marrë mundimin të festojë, aq i thjeshtë ka qenë! Liverpuli kthehet i katërti, me 5 pikë nga Junajtid dhe 4 nga Çelsi që i paraprijnë. Siti? Harrojeni më mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *