
Kundër skuadrës më të dobët të Premier Ligës jashtë fushe, Bërnlit, pritej një fitore disi më bindëse, por Jyrgen Klop duket se nuk e ka idenë ç’të bëjë në ndeshje të tilla: Liverpuli shkatërron rivalët e kreut, por vuan me çdo ekip të vogël, brenda e jashtë fushe.
Edhe sot ashtu ndodhi, sepse u desh një gol i Emre Xhanit në minutën e 61-të për të thyer Bërnlin, me ndeshjen që ishte mbërthyer në shifrat 1-1 dhe me miqtë që po luanin shumë mirë.
Barns shënoi që në minutën e shtatë për Bërnlin, që këtë sezon ka marrë vetëm dy pikë jashtë fushe, ndërsa Uijnaldum gjeti barazimin në shtesën e pjesës së parë për “The Reds”.
Emre Xhan shënoi një gol të bukur nga distanca, pikërisht në momentin që u zëvendësua Filipe Kutinjo.
Pas golit të Liverpulit, në fushë ishte praktikisht vetëm Bërnli, që luajti bukur dhe në shtesë për pak barazoi, por nuk pati faktin me vete.