Liverpuli e zyrtarizon, Fabinjo goditja e radhës

Liverpuli ka konfirmuar blerjen e mesfushorit brazilian Fabinjo nga Monako, për 45 milionë euro, duke gjetur kështu zëvendësuesin e Emre Xhan, i cili këtë verë del i lirë në treg.

Në këtë mënyrë, Liverpuli nuk vajton shumë për humbjen në finalen e Champions League dhe ka nisur punën për ndërtimin e një skuadre të aftë të shkojë sërish deri në fund në Champions dhe të mbyllë hendekun me Mançester Sitin në Premier Ligë.

Bisedimet me Monakon kishin nisur prej kohësh, ndërsa Liverpuli ka zyrtarizuar gjithçka me një komunikatë për shtyp, ku njofton se mesfushori 24-vjeçar, titullar fiks prej 5 sezonesh te Monako, do të transferohet në Anfield më 1 korrik, pasi të ketë kompletuar vizitat mjekësore.

“Jam shumë entuziast për këtë transferim. Është diçka e që kam dashur gjithmonë, bëhet fjalë për një klub gjigant. Klubi ka infrastrukturë të jashtëzakonshme. Kur një klub i përmasave të tilla më kërkon, nuk kam nevojë për kohë që të mendohem. Do të mundohem të krijoj historinë time te ky klub. Shpresoj që të fitoj trofe, do të përpiqem të rritem dhe të përmirësohem, për të gjetur vend në historinë e këtij klubi”, deklaroi Fabinjo për faqen zyrtare të klubit anglez.

Në gjurmët e Fabinjos ishte edhe Mançester Junajtid, që tashmë do të mundohet të blejë brazilianin Fred nga Shahtar Doneck.

Liverpuli më parë ka siguruar mesfushorin Nabi Keita nga RB Lajpcigu, lojtar shumë cilësor, ndërsa tani do të tentojë të blejë sulmuesin Fekir nga Lioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *