Liverpuli, 100 milionë euro për Dibalën!

Jurgen Klop sheh tek “Joya” pasuesin ideal të Filipe Kutinjos. Në verë gati oferta mostër

Një lajm i rëndësishëm ka ardhur nga merkato; Liverpuli kërkon shërbimet e yllit të Juventusit, Paulo Dibala. Trajneri i “The Reds”, Jurgen Klop sheh te argjentinasi zëvendësuesin ideal të Filipe Kutinjos dhe është gati të dalë me një ofertë marramendëse në verë. Sipas raportimeve të medieve italiane, por dhe atyre angleze, Liverpuli po bën gati 90 milionë sterlina ose afro 105 milionë euro për shërbimet e argjentinasit. Deri më tani nuk ka ndonjë ofertë konkrete, por mediat në Itali janë të bindura se Klop e do Dibalën me çdo çmim në “Anfield”.

Kjo ndoshta dhe nga fakti se Klop i druhet ndonjë largimi të mundshëm të yllit Mohamed Salah, i cili është vënë nën lupën e Realit të Madridit dhe Paris SG-së, pas një sezoni të pabesueshëm në “Anfield”. Kutinjo u largua nga Liverpuli në janar për afro 160 milionë euro dhe “Të kuqtë” nuk kanë gjetur ende një pasues të tij, pavarësisht mrekullive të Mohamed Salah. Ylli argjentinas, Paulo Dibala iu bashkua Juventusit nga Palermo në vitin 2015 për afro 30 milionë euro, por në pak sezone ai është kthyer në një prej lojtarëve më të mirë në qarkullim. Klop kërkon ta joshë Dibalën natyrisht me Ligën e Kampioneve prioritet.

Në gjurmët e Roberto Baxhios – Dhe Dibala po e shfaq ditë pas dite se është kthyer në një “killer”, duke vërtetuar atë çfarë Alegri kishte parë te ai që në vitin e parë në Torino. Dibala vazhdon të vendosë rekord pas rekordi me fanellën e bardhezinjve dhe i ka vënë syrin objektivave të tjerë. Ai ka shkuar jo vetëm përtej parashikimeve, por me 25 golat e deritanishëm ka lënë pas vetes një sulmues race si Gonzalo Higuain (22 deri tani). Objektivi i radhës për të është Roberto Baxhio, i cili në vitin e debutimit të tij me Juventusin (1990-1991) u ndal në kuotën e 27 rrjetave. Dibalës i mbeten dhe 8 takime deri në fund, 7 në kampionat e 1 në Kupën e Italisë. Nëse kalon Baxhion, objektivi tjetër do të jetë Alesandro del Piero, i cili në të njëjtën moshë me Dibalën shënonte 32 rrjeta, 10 prej të cilave në Champions. Evropa mbetet problem i madh i Paulos, i cili në tri sezone me Juven numëron vetëm 6 gola.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *