Liverpul-Sevilja, ja për çfarë luhet

0

Liverpuli dhe Sevilja do të ndajnë Ligën e Evropës mes tyre. Sevilja i pari ekip që arrin tri herë radhazi në finale. Liverpuli kërkon lavdinë në Evropë pas 11 vitesh. Në lojë është dhe një biletë për në Champions

Liverpuli dhe Sevilja do të përballen sonte në mbrëmje në finalen e Evropës së vogël, por që vlen shumë. Në lojë nuk është vetëm një trofe prestigjioz, por luhet shumë më tepër pasi kjo finale vlen sa një sezon për Liverpulin dhe Sevilje, pasi kur fiton sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampioneve. Liverpuli e ka humbur një finale në këtë sezon teksa është mundur nga Mançester Siti në Kupën e Ligës në Angli. Nga ana e saj për Seviljen kjo është finalja e parë në harkun e katër ditëve, sepse të dielën andaluzianët do të ndajnë dhe Kupën e Mbretit në Spanjë me Barcelonën. Praktikisht luhet për lavdi, për histori e për një vend në Champions që është pa dyshim vlera më e madhe që ka marrë Liga e Evropës.

Sevilja për historinë dhe miliona – Sevilja e ka shkruar gjysmën e historisë duke arritur për herë të trerë radhazi në finalen e Ligës së Evropës. Pasi e ka fituar në vitin 2014 kundër Benfikës në Torino dhe vitin e shkuar kundër Dnjeprit në Varshavë, sonte në mbrëmje andaluzianët do të kërkonë suksesin e tretë radhazi në tokën zvicerane në “St Jakob Park” të Bazelit. Suksesi i mundshëm ndaj Liverpulit do të kompletonte dhe kapitelin e fundit të historisë së Seviljes në këtë kompeticion, pasi do të bëhej ekipi i parë në histori që fiton për të tretin vit radhazi Ligën e Evropës. Jo vetëm kaq, por suksesi në finale do të mbushte jo pak dhe arkat e klubit spanjoll. Sipas medieve spanjolle nëse Sevilja arrin të fitojë në finale përfitimet do të ishin 28.5 milionë euro si dhe 15 milionë euro të tjera plus për edicionin e ardhshëm të kupave të Evropës.

Liverpuli për lavdi – për Jurgen Klopin sezoni i tij i parë tek Liverpuli mund të quhet i suksesshëm. Në diçka më shumë se shtatë muaj ai ka ndërruar rrënjësisht këtë ekip dhe për më shumë ka mundur ta çojë në dy finale. Në finalen e parë ka qenë një humbje përballë Sitit në Kupën e Ligës në Angli. Sonte në mbrëmje ai do të kërkojë lavdinë në Evropë. Liverpuli kthehet në finalen e një kompeticioni evropian pas nëntë vitesh. Finalja e fundit i takon vitit 2007 në Athinë në Ligën e Kampioneve kur mundej nga Milani 1-2. Ndërkohë që suksesi i fundit në Evropë është ai më i paharrueshmi, finalja e Ligës së Kampioneve e vitit 2005 në Stamboll po kundër Milanit në atë që është vlerësuar si finalja më e madhe në historinë e kupave të Evropës. Këtë gjë do të kërkojë Jurgen Kklop edhe sonte në mbrëmje përballë Seviljes, të kthejë një titull Evropian pas 11 vitesh në “Anfield”.

Një vend në Champions – Historia, lavdia, milionat janë pa dyshim aspekte shumë të rëndësishme të finales së Ligës së Evropës. Por të gjithë njëzëri mendojnë se çmimi më i madh i këtij kompeticioni është ajo bileta “e vogël” që fituesin e përballjes së sotme e çon automatikisht në Ligën e Kampioneve në sezonin tjetër. Në Sevilje dhe në Liverpul e dinë mjaft mirë një gjë të tillë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here